Kërcënimet, prokurorët e SPAK do mbrohen dhe gjatë pensionit

AKTUALITET


Në seancën e fundit të datës 18 korrik, në Kuvend u miratuan dy ligjet e fundit të Reformës në Drejtësi, ai për “Për qeverisjen e institucioneve të drejtësisë” dhe ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, që kishin mbetur të bllokuar në parlament, për shkak të mos pasjes së konsensusit nga opozita. Në fakt, miratimi këtyre dy ligjeve (që u dekretuan dhe nga Ilir Meta, lexo lajmin këtu), i hap rrugë ngritjes dhe funksionimit të institucioneve të drejtësisë, të cilat pritet që të jenë në funksion brenda vjeshtës së këtij viti.

Ndërkohë, qeveria në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave në 31 korrik, ka miratuar dy vendime të rëndësishme, që lidhen drejpërdrejt me funksionimin e instucioneve të reja të drejtësisë. I pari ishte miratimi i buxhetit për Prokurorinë e Posaçme, që pritet të jetë gati në shtator, ndërsa vendimi i dytë është ai që siguron mbrojtjen e magjistratëve (gjyqtarëve dhe prokurorëve) që do të punojnë në institucionet e reja të drejtëisë dhe do të hetojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta.


Gjyqtarëve që do të punojnë në gjykata të ndryshme në vend, apo prokurorëve në të gjitha niveleve, do t`u sigurohet jeta dhe familja nga shteti, në rast se ata do të kenë kërcënime nga bota e krimit, në lidhje me çështje që do të hetojnë. Madje, në vendimin e Këshillit të Ministrave, përcaktohet se magjistratëve do t`u “sigurohet mbrojtje e veçantë që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension, në rast se e kërkon, në rast cenimi për shkak të ushtrimit të funksionimit”.

Kjo do të thotë, se prokurorët e SPAK apo gjykatës që do të hetojnë dhe dërgojnë para drejtësisë persona të rrezikshëm, në rast se do të kërcënohen, qoftë edhe kur kanë dalë në pension, do të kenë mundësi të kërkojnë mbrojtje nga shteti. Ndërkohë, për të vënë në zbatim mbrojtjen e magjistratëve, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar në vendimin e tij, krijimin e Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve, që do të jetë në varësi të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky komision do të jetë i përbërë nga anëtar nga KLGJ dhe KLP, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit.




Skip to toolbar