Do kalonin ilegalisht 70900 euro në Greqi, dy në pranga në Kakavijë

AKTUALITET


Policia Kufitare e Kakavijës ndaloi dy shtetas gjatë kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë. Sipas një njoftimi zyrtar të Policisë së Shtetit, në pikën Kufitare të Kakavijës u sekuestrua mjeti “Renault” me drejtues shtetasin shqiptar E.X., 21 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Greqi. Mjeti i këtij shtetasi rezultoi me ndërhyrje mekanike në numrin e shasisë.

Po në vijim të kontrolleve u kap shtetasi me inicialet V. G., 49 vjeç, lindur në Sarandë dhe banues në Greqi, të cilit gjatë kontrollit në automjet iu gjet një sasi prej 70900 eurosh, të cilat i kishte fshehur në automjet, me qëllim shmangien e kontrollit.

Në cilësinë e provës materiale u bllokuan 1 automjet dhe një sasi prej 70900 eurosh. Veprimet e para hetimore për këto raste u kryen nga DVP Gjirokastër, për veprat penale “Trafikim i mjeteve motorike” dhe “Mosdeklarim i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe materialet në ngarkim të dy shtetasve i kaluan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



Skip to toolbar