Megjithëse i dorëzuan një nga një bashkitë e djathta dhe pa shumë zhurmë, ndryshe nga sa kishin premtuar, kjo s’do të thotë se demokratët janë ndjerë mirë. Përkundrazi ka nga ata që edhe kanë qarë dhe një prej tyre është edhe ish deputeti Ervin Salianji. Ai e ka pranuar vetë faktin se ka derdhur lot teksa ka parë dorëzimin tek socialistët të drejtimit të bashkisë së Devollit.
“Në momentin kur isha në bashkinë e Devollit dhe shihja demokratë, qytetarë dhe njerëz që mbështesnin prej kohësh kauzën e PD dhe dridheshin nga uzurpimi apo nga pushtimi, pa diskutim që nga përmbajtja edhe vetë kam lëshuar lot. Kjo është një sakrificë që bëjnë demokratët, por është një sakrificë që i shërben në fund interesit publik. I gjithë aksion opozitar do të matet në ditën kur të arrijë apo jo suksesin”, është shprehur Salianji në një intervistë për Ora News.
Pavarësisht kësaj Salianji vazhdon të mbështesë aksionin 6 mujor të PD-së që nisi me djegien e mandateve dhe përfundoi me dorëzimin e bashkive për të cilat thotë se ka derdhur lot.
“Qëllimi i parlamentit është që të përfaqësojë zërin e qytetarëve dhe të marrin vendime. Në parlamentin aktual nuk ishte një parlament i cili i shërbente interesave të qytetarëve. Në momentin kur ne si përfaqësues të qytetarëve ishim kthyer në fasadë sepse asnjë mekanizëm ligjor nuk funksiononte, asnjë pushtet nuk kishte, por vetëm fjala e kryeministrit, padiskutim që i shërben interesit publik lënia e mandateve dhe qëndrimi jashtë sistemit, për t’ia lënë të gjitha kostot e këtij sistemi, qeverisjes së Edi Ramës dhe Edi Ramës personalisht, i cili po qeveris si despot dhe jo si një kryeministër i një vendi demokratik. Kështu që jo vetëm nuk e ka ul skepticizmin lënia e mandateve, por e ka rritur entuziazmin dhe besueshmërinë tek PD, sepse nuk po lufton për pushtet apo për karrige, sepse ato karrige që kishim i lamë me vullnet, por po sakrifikon njësoj si çdo qytetar shqiptar”, është shprehur Salianji.
Partia Demokratike vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit dhe si rezultatat dorëzoi të gjitha bashkitë e djathta dhe tani ka mbetur pa asnjë pushtet si në nivel qendror ashtu dhe në atë lokal. Për më tepër PD refuzon të futet në një proces tjetër zgjedhor pa plotësuar dy kushtet e saj të panegociueshme që është largimi i Ramës nga posti i kryeministrit dhe ngritja e një qeverie teknike.