PD akuzon gjyqtarin për lidhje me Aldo Baren, Salianji: Do e apeloj

AKTUALITET


Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për çështjen e famshme ‘Babale’ që shpalli fajtorë ish-deputetin Ervin Salianji, gazetarin Jetmir Olldashi, Fredi Alizotin që thuhet se ka imituar zërin e Agron Xhafaj dhe Albert Veliun, ose ‘dëshmitarin X’, PD ka shpërthyer ndaj gjyqtarit Artan Gjermeni, duke e akuzuar për lidhje me bandën e Aldo Bares.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi hodhi akuza të forta në drejtim të gjykatësit të çështjes Artan Gjermeni duke e quajtur anëtar të bandës së Lushnjës. “Një vendim i pritshëm, asnjë surprizë që gjyqtari anëtari i bandës së Lushnjës Artan Gjermeni do të merrte këtë vendim ndaj një përfaqësuesi të PD. Në momentin që zotëria do kalojë në vetting do bindeni që kjo që them është e vërtetë.


Sot ata janë dënuar nga një anëtar i bandës së Lushnjës. Prokuroria dhe Gjykata kanë marrë një vendim politik për të mbrojtur trafikantët e drogës në Vlorë dhe për t’i mbyllur gojën opozitës dhe medias. Ky vendim nuk do të na ndalë në betejën e përditshme me qeverinë që bashkëpunon me krimin e organizuar por na bën më të fortë për të vazhduar betejën jo vetëm me përfaqësues e krimit në qeveri por edhe përfaqësues të krimit në gjykatë e prokurori. Sot Ervin Salianji është dënuar nga banda e Lushnjës pse ka akuzuar bandën e Xhafaj”, deklaroi Bardhi.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Salianji mbi gjyqtarin Gjermeni, ndërsa përsëriti se akuza nuk u bazua në prova, por vetëm në deklarata të njerëzve të paguar nga mazhoranca. Ai tha se do e apelojë vendimin dhe do ta ndjekë në të gjitha shkallës e gjyqësorit.

“Siç ishte e pritshme ishte një pretencë e shkruar. Ishte një vendimmarrje e shkruar shumë kohë më parë, e pabazuar në ligj dhe në prova, nga një gjyqtar i bandës së Lushnjës, i cili i shërben karrierës së tij në PS. Po ky gjyqtar në një çështjet tjetër të mëparshmen timen është tërhequr për shkak të konfliktit të interesit. Nuk ka llum, llucë dhe qelbësira që më ndalin dot. Kanë tentuar të më devijojnë të vërtetën. Më bëjnë të jem më i motivuar. Nuk më tremb aspak se fjala e kryeministrit për të intimiduar për opozitën, nuk është një kërcënim për burgosje por për karrierën politike. Do të apeloj dhe do ta ndjek në çdo instancë gjyqësore. Gjyqtari shok me Xhafajn sot i ka bërë një nder atyre”, tha Salianji.




Skip to toolbar