“Dosja Partizani”/ GJKKO shtyn edhe me një ditë dhënien e vendimit për gjykimin ndaj Berishës

AKTUALITET


Seanca për kalimin ose jo për gjykim për Berishën dhe të pandehurit e tjerë lidhur me dosjen ‘Partizani’, pritet të jepet ditën e enjte.

Do të jetë gjyqtarja Fjorela Davidhi e cila do të vendosë të enjten në orën 13:00 nëse dosja ndaj ish kryeministrit do të kalojë për gjykim sipas kërkesës së SPAK, do të pushohet, apo do t’I kërkohet Prokurorisë së Posacme hetime të tjera plotësuese.

Prej gjashtë muajsh vijon të zvarritet në GJKKO gjykimi ndaj ish kryeministrit Sali Berisha dhe të pandehurve të tjerë të dosjes Partizani.

Që nga dhjetori i vitit 2023, Sali Berisha është marrë i pandehur nga SPAK për korrupsion në dosjen e aferës “Partizani”, pasi akuzohet se me një sërë veprimesh të paligjshme i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i pandehur gjithashtu.

SPAK e akuzon ish kryeministrin Sali Berisha për korrupsion pasiv dhe përfitim, përmes Jamarbër Malltezit, të 5.4 milionë eurove që ky i fundit i ka përfituar si aksioner i kompanisë Homeplan. Sipas prokurorisë, Malltezi ka përfituar aksione dhe dividente nga kjo kompani pa investuar te ajo, gjë që ngre dyshime se aksionet janë dhënë nga Bektashi në shkëmbim të veprimeve shtetërore të ndërmarra nga Berisha në favor të kompanisë, e cila njihet për zhvillimin e një blloku të madh banimi në Tiranë.

Berisha akuzohet se ka lehtësuar procesin e zhvillimit të zonës në fjalë, përmes akteve ligjore dhe nënligjore si dhe përmes ushtrimit të kontrolleve të presionit ndaj institucioneve të ndryshme qeveritare me qëllim përshpejtimin e procedurave. Berisha akuzohet se ka përdorur pushtetin e tij si kryeministër në përfitim të bashkëshortit të vajzës.



Skip to toolbar