Pas tërmetit të 26 nëntorit, ku humbën jetën 52 persona dhe qindra mbetën të plagosur, shumë shqiptarë janë nisur drejt trojeve kosovare për të gjetur strehim. Por mes tyre ka pasur dhe persona abuzues, të cilët janë bazuar në disa thashetheme se nga Kosova, ata do të dërgohen për strehim në Gjermani.
Një problematikë e tillë është vënë në dukje nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, shoqërisë civile, por edhe subjekteve politike, që të tregohet kujdes me personat e ardhur nga Shqipëria.
Haradinaj thotë se asnjë qytetar që shkon në Kosovë nuk do të mbetet pas strehim, por kjo situatë po keqpërdoret dhe po vijnë persona që nuk janë prekur nga tërmeti. “Çdo shtetas i Shqipërisë, që hyn në territorin e Kosovës, nuk do të mbetet pa strehë, por nuk është në rregull një zhvendosje pa kritere e njerëzve që vijnë nga zonat që nuk janë prekur nga tërmeti”, tha Haradinaj.
Sipas tij, ata shkojnë në Kosovë me shpresën se do ikin drejt Gjermanisë, por kjo nuk do të ndodhë. “Dikush po i mashtron njerëzit, po i mbush autobusët, po i sjell në kushte të vështira… është dimër, nuk është në rregull. “Nuk është e vërtetë që ata që hyjnë në parkun gjerman i dërgojmë në Gjermani, është mashtrim. Kushdo që vjen aty do ta ketë kujdesin tonë se ne jemi vëllezër, por nuk është e vërtetë që nga aty i ngarkojmë në avionë dhe i dërgojmë në Gjemani me bileta falë e strehim falë në Gjermani, kjo është një zgjidhje emergjente. Kushdo që është në zor ne i trajtojmë me respekt, por mos t’i mashtrojmë për t’i prurë në Kosovë. Për shembull, shkon atje një këngëtar e mbush një autobus dhe vjen e lëshon midis Prishtinës dhe kërkon shtab emergjent ose shkojnë OJQ-të, mbushin automjetet e bjerë këndej, ngadalë duhet të bëhet një planifikim, një koordinim dhe të punohet si i ka hije”, ka thënë Haradinaj.