E kërkoi Basha, Rama: Laçi, në gjendje të jashtëzakonshme. Do ndërtohen shtëpitë

AKTUALITET


Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë të zhvilluar të premten në orën 7.00 të mëngjesit, Kryeministri Edi Rama vendosi të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme edhe në qytetin e Laçit, përveç Tiranës e Durrësit, duke thënë se bie dakord me kërkesën dhe shqetësimin e kryetarit të opozitës Lulzim Basha. Kryeministri Rama vlerësoi frymën solidare të shqiptarëve dhe të huajve, dhe ndihmat e shumta financiare që ata kanë dhënë për të prekurit nga tërmeti. Shefi i mazhorancës tha se do të bëhen të gjithë vlerësimet për të mos humbur asnjë qindarkë, dhe për të nisur menjëherë nga puna nga ndërtimi i shtëpive të reja për ata që mbetën pa çati mbi kokë.

“Ne e kemi diskutuar me shqetësim. Ka dëme edhe në Laç, kanë dalë nga godinat dhe janë nëpër çadra, do të trajtoheshin njësoj të përfshihen në vendimin e perimetrit të emergjencës. Duke konsideruar edhe opinionin e kryetarit të opozitës them që na përputhen shqetësimet edhe idetë. Përfshijmë edhe zonën e prekur të Laçit në të njëjtin program që askush të mos ndihet i vendosur në një kategori të dytë të vëmendjes”, tha Rama ndërsa premtoi ndërtimin e shtëpive brenda 2020-ës.


Kryeministri kërkoi të ketë një situatë të apartamenteve të mbetura stok në Tiranë dhe në qytetin e Durrësit për të parë nëse banorët që sot po akomodohen në hotele të kenë shtëpitë e tyre. Kryeministri tha se pallatet dhe shtëpitë e shembura në Thumanë do të ndërtohen në Tiranë.

“Duhet të mbarojë stoku i apartamenteve në Tiranë dhe Durrës, na duhet kjo urgjent. Na duhet sipërmarrësi përkatës, situata e apartamenteve, që janë bosh fare, të pabanuara, apo kanë orendi  brenda. Kjo na duhet urgjentisht. Se kjo do të jetë në diskutimet e para në Komitetin Kombëtar të ndërtimit. Nuk është e mençur të ndërtojmë pallatet në Thumanë që të gjitha ashtu si ishin.

Janë njerëz të pashaportizuar në Tiranë, është më mirë t’i sjellin në Tiranë, nga 4 pallate mund të ndërtojmë një pallat në Thumanë. Dhe kështu racionalizojmë një proces. Nuk i kthejmë dot jetën atyre që një fat më misterioz në dorën e një force tjetër, zoti natyra vendosi…por kemi detyrë që atyre që humbën shtëpinë t’i japin kushte më të mira seç kishin”, tha Rama.

Shefi i mazhorancës tha se të shtunën, qeveria do të mblidhet sërish për të marrë një vendim të rëndësishëm. Një paketë ndihmë të drejtpërdrejt për personat që humbën të afërmit e tyre në tërmetin e së martës.

“Nesër dua të marrim vendimin e parë për familjet që kanë humbur njerëz. Duhet të jenë të listuara me anëtarë familje, sa të moshuar kanë, sa fëmijë kanë, sa të rritur në punë, dhe për ta nesër duhet një paketë speciale e drejtpërdrejtë”, premtoi ai. Nesër”, theksoi ai.

Në çdo hotel ku janë duke u akomoduar të dëmtuarit, kryeministri Rama tha se do të ketë mësues ndihmës për fëmijët. Ndërkohë që të gjithë personave që u duhet të shkojnë në punë në qytetet e tyre larg hoteleve ku janë duke qëndruar nga shteti, do t’u paguhet karburanti për lëvizjet me makinë.

“Çdo ministër do të marrë në patronazh nga një zonë ku po strehohen, si një kujdestar konvikti me një ekip për të garantuar mbarëvajtjen e çdo gjëje. Do u paguajmë rrugën për të shkuar në punë”, tha Rama.

Në mbledhjen e qeverisë, Rama bëri një bilanc paraprak të banesave dhe pallateve të dëmtuara, edhe pse një bilanc më i plotë do të bëhet me ardhjen e ekspertëve të huaj. “Ekipet e para të inspektorëve grekë teknikë vijnë sot, për të bërë analizë dëmesh së bashku me ekspertët tanë në mënyrë që mos të marrë kohë të gjatë në raport me numrin e madh të pallateve me numrin e vogël të ekspertëve të ndërtimit. Do të ketë turk, francezë, e një sërë ekipesh të tjera që do të vijnë në mbrëmje ose nesër”, u shpreh kryeministri.

“Paraprakisht: Në Durrës janë 701 banesa të dëmtuara, 12 të shkatërruara totalisht, 176 pallate të dëmtuara. Në Tiranë, janë 15 të banesa shkatërruara, 239 banesa të dëmtuara, 8 pallate jashtë funksionit, 61 pallate të dëmtuar rëndë. Në Tiranë janë 3480 persona pa shtëpi. 1 mijë janë të akomoduar në 5 qendra private, të tjerët në çadra dhe tek të afërmit.

Në Elbasan janë akomoduar 209 persona, ndërsa në Durrës 625”, tha Rama, i cili bëri të ditur se do të mblidhet Komiteti kombëtar i ndërtimit ndërsa theksoi se do të ishte i lumtur që pjesë e këtij komuniteti të ishte edhe opozita.

“Do të ishim të lumtur të ishte edhe opozita qoftë sa i përket aspektit financiar, qofte dhe teknik. nuk kemi çfarë ndajmë në këtë aspekt përveçse nevojën e përbashkët për të bërë më të mirën për njerëzit. Nuk është komision i reformës zgjedhore, as komision dekriminalizmi, as i ndarjes së engjëjve dhe djajve. Këto janë komisione për ditët me diell në këtë ditë pa diell në këtë punë që do të vazhdojë e pa cënuar nga jeta e përditshme politike që nuk diskutohet së shpejti do të rifillojë se shenjat e para janë dhënë, është mirë të jemi bashkë, është mirë të punojmë bashkë”, tha Rama.

Për të monitoruar të gjithë situatën e gjendjes së jashtëzakonshme Rama ngarkoi ministrin e Bujqësisë, Bledi Çuçi. “Ministri i Bujqësisë merr drejtimin e plotë të operacionit – komisar i plotfuqishëm që ka mandat të plotë nga qeveria për të dhënë gjithë urdhrat dhe për të marrë në kohë reale përgjigje nga të gjitha institucionet. Është barrë plus për ministrin prandaj do i kërkoja një angazhim më të madh zv.ministrave përkatës të mbulojnë një boshllëk”, u shpreh Kryeministri. Ai tha gjithashtu se deri tani janë mbledhur 5 milionë euro, dhe 1.5 milionë dollarë të dhuruara nga biznesmëne dhe qytetarë të ndryshëm përmes portalit e-Albania.




Skip to toolbar