E vetmja grua në tryezë për “Zgjedhoren”, Rudina Hajdari mesazh vajzave dhe nënave

AKTUALITET


Rudina Hajdari, si bashkëkryetare e Komisionit për Reformën Zgjedhore, ishte prezent në tryezën e të martës, ku përballë saj pati tre përfaqësues të partive politike, Damian Gjiknurin nga PS, Oerd Bylykbashin nga PS dhe Petrit Vasilin nga LSI. Të mërkurën, Rudina Hajdari bëri një koment për tryezën e të martës, ku u formua “Këshilli Politik”. Me doza të larta krenarie, kryetarja e grupit parlamentar të deputetëve të djathtë, e cilëson “marrëveshje madhore”, dokumentin e firmosur nga palët në 14 janar. Ndërsa, me shembullin e saj, Rudina Hajdari kërkon të frymëzojë shumë gra e vajza të tjera që janë në politikë.

“Deri më sot shumë pak gra në politikë kanë qenë prezent në marrëveshje politike madhore. Për mua ky moment është i rëndësishëm për çdo grua dhe vajzë që më shikon. Është një moment i rëndësishëm për të dhënë një mesazh se çdo nënë, çdo grua dhe vajzë nuk kemi limite në shoqërinë tonë dhe se ne jemi të drejtëpërdrejta dhe interesat tonë shkojnë përtej interesave të ngushta të pushtetit.  Çdo grua që lufton në politikë në një mënyrë apo tjetër ka përgjegjësi për mesazhin që përçon ndaj çdo gruaje apo vajze në çdo cep të Shqipërisë për rolin e rëndësishëm që ajo ka në shoqëri”, përfundon Rudina Hajdari.

Edhe pse ende ajo përfaqësohet si deputete e dalë nga radhët e Partisë Demokratike në Kuvend, Rudina Hajdari ka lënë të kuptohet se së shpejti do të krijojë një fraksion të ri politik. Hapat e para duket se i ka hedhur, ndërsa thelbësor për të mbetet ndryshimi i sistemit zgjedhor. Për këtë, Rudina Hajdari është shprehur se “sistemi aktual nuk i favorizon partitë e reja”, ndaj si përfaqësuese me peshë në hartimin e Reformës Zgjedhore, theksin e veprimtarisë së saj e ka vënë pikërisht te ndryshimi i sistemit zgjedhor. Megjithatë, partitë e mëdha, ndonëse e kanë lënë të hapur mundësinë për të ndryshuar sistemin, qëndrimi i tyre anon më shumë nga dëshira për të mos ndryshuar sistemin deri në zgjedhjet e vitit 2021, me argumentin se kërkon ndërhyrje në Kushtetutë. /Realstory.al/



Skip to toolbar