Egnatia shkruan historinë, mposht Partizanin dhe fiton titullin e parë kampion të Shqipërisë

Më të fundit


Egnatia bën kthesë në Kategorinë Superiore, duke fituar titullin e parë kampion të Shqipërisë si dhe njëkohësisht duke fituar për herë të parë në histori dy trofe brenda të njëjtit sezon, pasi rreth dy javë më parë rrogozinasit triumfuan edhe Kupën e Shqipërisë.

Skuadra e Edlir Tetovës mposhti me rezultatin 0-1 djemtë e Orges Shehit në ndeshjen e titullit në “Final Four”.


Ndeshja rezultoi shumë e luftuar me të dyja skuadrat, që tentuan vazhdimisht të gjenin rrugën drejt rrjetës.

Në minutën e 22’ Bintsouka pati mundësinë për të zhbllokuar ndeshjen dhe për të kaluar Partizanin në avantazh duke gjetur rrugën drejt rrjetës, por Taylor sinjalizoi që nuk kishte gol për shkak të prekjes së topit me dorë nga Sembene.

Atë që nuk e bënë kryeqytetasit e realizuan më së miri rrogozhinasit, me Ibrahimoglu që shënoi pas asistit të dhuruar nga Spahiu në minutën e 35’, duke zhbllokuar ndeshjen dhe duke i dhënë avantazhin, por njëkohësisht edhe fitoren skuadrës së Egnatias.

Fraksioni i dytë ishte disi më i vakët sa u përket rasteve, duke bërë që në fund ndeshja të mbyllej me rezultatin 0-1.

Egnatia diktoi ritmin gjatë gjithë sezonit, duke kryesuar renditjen me 63 pikë dhe në fund e finalizon duke triumfuar në “Final Four” dhe duke fituar titullin e parë kampion të Shqipërisë në histori.

Partizani nga ana tjetër nuk ia doli të mbronte titullin dhe të barazonte Dinamon me 18 tituj kampion.

Kështu Egnatia do të përfaqësojë Shqipërinë në Champions League, teksa Partizani i vendit të dytë do të shkojë në Conference League.




Skip to toolbar