Ekspertët e sigurisë për BBC: E paqartë kush i hodhi raketat ndaj Polonisë

BOTA


Dy persona kanë vdekur dje pas një shpërthimi në një fermë, në fshatin polak Przewodów, pranë kufirit me Ukrainën e shkatërruar nga lufta, por shkaku i shpërthimit është ende i paqartë, njoftoi Brigada e Zjarrfikësve.

Në median polake qarkullojnë pretendime të pakonfirmuara se shkaku i shpërthimit ishin dy raketa ruse të humbura që kaluan në Poloni nga Ukraina.


Orët e fundit kanë qarkulluar në rrjetet sociale pamje që tregojnë fragmente nga raketat në vendin e incidentit që ndodhi në Poloni. Dy persona humbën jetën.

BBC thotë se nuk ka qenë ende në gjendje t’i verifikojë këto foto. Ajo ka folur me 3 ekspertë të mbrojtjes ushtarake për atë që tregojnë pamjet.

Mark Cancian është njëri prej tyre. Ai thotë se raketat mund të jenë nga një sistem S-300. Ky lloj rakete zakonisht përdoret për sulme tokë-ajër dhe është përdorur si nga Rusia edhe nga Ukraina gjatë gjithë luftës.

“Kush e hodhi raketën është e paqartë”, thotë J. Andrés Gannon, një ekspert i sigurisë në Këshillin e SHBA për Marrëdhëniet me Jashtë. Edhe ai pajtohet se ajo mund të jetë nga një sistem S-300.

“Ne e dimë se Rusia ka përdorur S-300 për sulme tokësore edhe pse është një sistem i mbrojtjes ajrore. Por edhe Ukraina i përdor ato gjithashtu për mbrojtjen ajrore kundër raketave”, shton ai.

Po ashtu edhe Dr. Justin Bronck, një bashkëpunëtor i lartë në grupin e ekspertëve pajtohet se raketa mund të jetë e sistemit S-300. Ai thotë se ende nuk ka prova të mjaftueshme për ta identifikuar atë.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg shkroi në Tëitter se ka folur me presidentin polak Andrzej Duda për incidentin.

“Unë ofrova ngushëllimet e mia për humbjen e jetëve. NATO po monitoron situatën dhe aleatët po konsultohen nga afër. Është e rëndësishme që të gjitha faktet të vërtetohen” – thotë ai. Ndërsa Presidenti i SHBA, Joe Biden është informuar për raportet që vijnë nga Polonia. Zyrtarët thanë se ai ka folur flet me presidentin polak, Andrzej Duda.

Zëdhënësi i qeverisë polake Piotr Muller ka konfirmuar se vendi po rrit gatishmërinë e njësive të saj ushtarake. Ai njoftoi se qeveria “po verifikon nëse ka nevojë të aktivizojë Nenin 4 të NATO-s”.

Ky nen thotë: “Palët do të konsultohen së bashku sa herë që, sipas mendimit të ndonjërës prej tyre, kërcënohet integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e ndonjërës prej Palëve”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi menjëherë Rusinë për sulm të qëllimshëm ndaj Polonisë, një shtet i NATO-s. Ndërsa mediat shtetërore ruse kanë lënë të kuptohet se raketat ishin ukrainase.




Skip to toolbar