“Emisioni më i shkurtër i jetës sime”, Sokol Balla shfaqet ndryshe në “Real Story”

AKTUALITET


Gazetari Sokol Balla ka zhvilluar të enjten emisionin “Real Story” që dhe vetë e ka cilësuar si ‘më të shkurtrën në jetën e tij’. Solidarizimi me pasojat e rënda që shkaktoi tërmeti me magnitudë 6.4, bëri që gazetari Balla ta kalojë linjën në Prishtinë ku po organizohet një koncert bamirësie, të ardhurat e së cilës do të shkojnë për personat e prekur nga tërmeti. Sot festohet edhe dita e Flamurit, ku më shumë se kurrë të gjithë shqiptarët janë shfaqur më të bashkuar rreth tij, duke treguar se në këtë tragjedi nuk jemi vetëm.  

“Mirëmbrëma dhe mirë se vini në Real Story. Ky është ndoshta ose do jetë në fakt emisioni më i shkurtër i jetës sime. Jemi në ditën e tretë pas tragjedisë së madhe dhe tërmetit të rëndë katastrofik që shkatërroi shumë jetë njerëzish dhe mori gati 50 prej tyre. E them se është emisioni më i shkurtër pasi sot nuk kemi se çfarë të themi, sot është një ditë zie kombëtare, është një ditë e festës Kombëtare, është Dita e Flamurit. Është dita kur e festojnë dhe e kujtojnë shqiptarët kudo që janë. Sot më shumë se kurrë ne ndjehemi të bashkuar rreth flamurit tonë, për shkak se në këtë tragjedi që na goditi befas ne nuk jemi gjendur vetëm. Këtu unë në këtë moment do ta përfundoj emisionin dhe do ta kaloj në Kosovë linjën, do ta kaloj në Prishtinë, aty ku Elvis Naçi do të drejtojë një eveniment të madh për të mbledhur bamirësi, bamirësi që do t’i kushtohen zonave të goditura, kryesisht zonës së Thumanës ku do të ngrihen shtëpi për ata që e humbën atë nga ajo tronditje shkatërruese e tokës, në orën 3:54 të datës 26 nëntor. Unë dua ta kaloj linjën nga Tirana në Prishtinë duke falënderuar shqiptarët e Kosovës pa të cilët situata jonë këto 2-3 ditë do të kishte qenë shumë e vështirë dhe unë në emër të gjithë shqiptarëve i shpreh mirënjohjen atyre dhe t’u them atyre si gjithë shqiptarëve kudo që janë, pavarësisht gjithçkaje ta gëzojmë Ditën e Flamurit dhe njëherë faleminderit Kosovë”, tha Balla.



Skip to toolbar