“Kur u vranë 25 njerëz në Paris, liderët botërorë demonstruan së bashku. Tani, bota hesht”, tha presidenti turk duke kritikuar Perëndimin për situatën në Gaza.
Presidenti turk, Tajip Erdogan, në deklaratat e tij nga Uzbekistani theksoi se Perëndimi qëndron i heshtur për vdekjen e mijëra grave dhe fëmijëve nga bombardimet në Gaza.
“Ne jemi përballur me fanatizëm që vret edhe fëmijë. Vendet perëndimore e shikojnë masakrën nga larg. Ata janë shumë të dobët për të bërë thirrje për armëpushim e lëre më për të kritikuar. Ata që mbyllin sytë ndaj atyre që djegin Kuranin nuk mund të tolerojnë as flamurin palestinez. Ka mundësi që të shtohen shembujt e hipokrizisë që kemi parë që nga 7 tetori”.
Ai theksoi se Turqia qëndron e angazhuar për t’i dhënë fund konflikteve.
“Ne vazhdojmë nismat tona diplomatike për t’i dhënë fund konflikteve. Deri më sot kemi dërguar 10 avionë të mbushur me materiale ndihme humanitare që tejkalojnë 230 tonë. Përgatitjet tona për dërgimin e 2 anijeve civile të ndihmës humanitare po vazhdojnë”, vijoi presidenti turk.
Erdogan është treguar mjaft i ashpër ndaj Perëndimit, duke kërkuar që luftës në Gaza t’i jepet fund dhe terrori për civilët të përfundojë.