Escobar: Zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit duhet të nisë menjëherë

KOSOVA


I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova dhe Serbia duhet të nisin menjëherë të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve.

Gjatë një diskutimi virtual me gazetarë, Escobar tha të hënën se pajtimi i arritur më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe është ligjërisht e obligueshme, që do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.


“Rruga evropiane [e Kosovës dhe Serbisë] është jashtëzakonisht e kushtëzuar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha ai.

Zyrtari i lartë amerikan tha se për Kosovën është e rëndësishme që të nisë draftimin e versionit të saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq, për Serbinë tha se duhet të nisë të njohë dokumentet dhe simbolet shtetërore të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është nisja e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ka shumë punë që duhet të bëhet përtej kësaj marrëveshjeje”, tha ai.

Escobar e cilësoi marrëveshjen si “historike” dhe tha se do të ndihmojë partnerët evropianë që palët të mund të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes.

Zyrtari i lartë amerikan diskutoi edhe për faktin që as Kosova dhe as Serbia nuk e nënshkruan marrëveshjen gjatë takimit në Ohër. Ai tha se fokusimi në këtë aspekt është i parëndësishëm, pasi sipas tij, kjo është marrëveshje dhe shihet si e tillë nga BE-ja.

Escobar përsëriti se më 18 mars bisedimet nuk u përqendruan në arritjen e njohjes së ndërsjellë, por në normalizimin e raporteve. Megjithatë, ai shtoi se shpreson që shtetet mosnjohëse të BE-së, të njohin pavarësinë e Kosovës.

“Ne shpresojmë që të gjitha shtetet e BE-së ta njohin Kosovën në një të ardhme të afërt. Është e rëndësishme për Kosovën, që është pjesë e familjes evropiane, që të njihet nga pjesa tjetër e familjes evropiane. Besoj se një prej gjërave që duhet të ndodhë në rajon është se të gjitha shtetet në Ballkanin Perëndimor duhet ta njohin njëra-tjetrën dhe të kenë raporte paqësore dhe produktive”, theksoi Escobar.

 pyetur se cili është modeli më i mirë evropian që mund të përdorej si shembull për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Escobar tha se kjo i përket popullit të Kosovës të vendosë, në bisedë me Serbinë.

“Por, ne besojmë se duhet të jetë një që i shërben interesave të popullit të rajonit, një që funksionon për të dyja palët, që lejon serbët etnikë të marrin pjesë plotësisht në jetën civile dhe demokratike të Kosovës, por po ashtu duhet të jetë një asociacion që nuk shkel strukturën kushtetuese të Kosovës apo prek funksionalitetin e saj. Brenda kësaj ka shumë modele dhe shumë opsione dhe ne shpresojmë se do të kemi bisedime me të dyja palët që të mund të arrijmë, jo vetëm te një opsion i përbashkët, por te një opsion atraktiv”, tha Escobar.




Skip to toolbar