Etrit Berisha: Të fitojmë me Islandën për të rritur vetëbesimin

KOMBËTARE


Etrit Berisha ka folur në konferencë për shtyp këtë të mërkurë nga Frankfurti, aty ku kombëtarja vijon përgatitjet për ndeshjen ndaj Islandës, që do të luhet pas tre ditësh. Portieri kuqezi është shprehur me nota të larta vlerësimi për trajnerin Edy Reja, duke thënë se ai është duke u përpjekur ta bëjë ekipin entuziast.

Mund të them që është e mirë. Kemi një trajner me eksperiencë të madhe dhe është munduar ta bëjë ekipin entuziast. Tani për tani, jemi të lumtur, pasi po kalojmë mirë si në stërvitje dhe jashtë. Nuk duhet të kemi presion. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Një rezultat i mirë do të hapte shpresat për kualifikim”, ka thënë Berisha.

Duke folur për Islandën, Berisha u shpreh se është një kundërshtar direkt për kualifikimin në Euro 2020. “Luajmë ndaj një kundërshtari direkt për kualifikim, çka do të thotë shumë për moralin dhe vetëbesimin e ekipit. Do të mundohemi ta përgatisim sa më mirë këtë ndeshje dhe të shohim. I kemi cilësitë e duhura për të marrë një rezultat pozitiv. Mendoj që Islanda, përveç lojës në ajër, ka dhe cilësi të tjera”, tha portieri kuqezi.

Etrit Berisha u shpreh se kombëtarja është e konsoliduar në mbrojtje, ndërsa tha se nëse ndeshja me Islandën shkon mirë, në ekip do të rritet vetëbesimi. “Kemi shumë lojtarë që mund të bëjnë mirë në repartin e mbrojtjes. Kemi lojtarë me eksperiencë dhe lojtarë që luajnë në kampionate të rëndësishme. Mund të them që jemi të konsoliduar në këtë repart. Diferencën e kanë bërë gabimet tona. Besoj se do t’i eliminojmë këto gabime dhe do të kemi mundësi për rezultat pozitiv. Nëse dalim mirë nga kjo ndeshje, do të kemi vetëbesim dhe në ato që vijojnë”, tha Berisha.



Skip to toolbar