Kumbulla gol me kokë në Itali. Berisha bëhet “mur”

AKTUALITET


Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla shënoi në Serie A ndaj Sampdorias në takimin e javës së 7-të të kampionatit. Mbrojtësi gjeti rrjetën në të 9`, duke kaluar Veronan në avantazh. Një gjuajtje e bukur e Veloso nga këndi, gjen kokën e Kumbullës që kalon mbrojtësit kundërshtar, dhe dërgon topin në rrjetë.

Stadiumi shpërthen në festë, ndërsa futbollisti kuqezi “shlyen” në mënyrën e duhur mungesën në dy ndeshje, pas kartonit të kuq që mori në takimin ndaj Juventusit. Verona e fitoi ndeshjen 2-0, me golin e dytë që ishte një autogol nga Murru në të 81`. Fitorja e të shtunës e ngjit Veronan në vendin e 9-të në Serie A me po kaq pikë.


Ky është lajm i mirë për trajnerin Edy Reja, që pritet të grumbullojë Marash Kumbullën për dy ndeshjet e radhës kualifikuese të ekipit tonë kombëtar, ndaj Turqisë dhe Moldavisë.

Ditë pozitive ishte dhe për Etrit Berishën, i cili doli me tre pikë nga sfida kundër Parmës. Spal gjeti rrjetën në të 31`, ndërsa Berisha mbajti portën të pa prekur edhe pse skuadra e tij luajti me një futbollist më pak për shumë minuta. Kjo ishte fitorja e dytë e Spal në Serie A, pas 5 humbjesh.




Skip to toolbar