Flamurtari i uroi ditëlindjen, mbrojtësi largohet dhe firmos te Kukësi

SPORT


Ish-mbrojtësi i Flamurtarit Blerim Kotobelli, duke nisur prej kësaj të enjte do të jetë pjesë e skuadrës së Kukësit. 27-vjeçari ka firmosur kontratën e re me klubin verilindor, për vetëm një sezon, duke u bashkuar me skuadrën vetëm tre ditë para finales së Superkupës së Shqipërisë. Kotobelli luajti sezonin e fundit te Flamurtari në Vlorë, teksa ai shihej ende si pjesë e klubit, i cili i uronte dhe ditëlindjen vetëm disa ditë më parë.

Por mesa duket, pasiguria financiare dhe largimi i trajnerit Gerd Haxhi, vetëm nëntë ditë pasi mori drejtimin e skuadrës, ka bërë që Kotobelli të zgjedhë një klub tjetër për të vijuar karrierën si futbollist. Më herët, Kotobelli ka luajtur edhe për ekipin e Tiranës, Teutës dhe Partizanit, duke grumbulluar një eksperiencë të rëndësishme e cila do t`i shërbejë për aventurën te Kukësi.


Afrimi i Kotobellit vjen vetëm dy ditë pasi nga skuadra verilindore u larguar pas 6 vjetësh qendërmbrojtësi Ylli Shameti. Me vakumin e krijuar në repartin e mbrojtes, Kukësi tashmë gjen një alternativë për Shpëtim Duron, ndërsa skuadra vijon negociatat për rinovimin e Ardian Cuculit.




Skip to toolbar