Babai i Rashës “përze” protestuesit: Mos na rëndoni!

AKTUALITET


Protestuesit e grumbulluar në orën 22.00 të mbrëmjes, për të sfiduar orarin e mbylljes për shkak të Covid, pasi kanë qëndruar për pak kohë përpara Kryeministrisë, të organizuar nga Forumi Rinor i PD, janë nisur më pas në drejtim të banesës së viktimës, Klodian Rasha.

Atje ata kanë takuar babanë e të ndjerit, i cili ka patur disa mesazhe shumë të forta, duke lënë të kuptohet se nuk pajtohet aspak me përdorimin politik që është duke iu bërë ngjarjes ku i biri ishte viktimë.


“Unë uroj që, kjo që më ka ndodhur mua të mos i ndodhë askujt”, u shpreh ai.
“Unë i shërbej vetëm familjes sime jo politikës. Sot varrosa djalin. Unë dua që fajtori të marrë dënimin që meriton.
Ne kemi një fije shpresë, që të kemi një të ardhme për të këtë vend, që të rrisim fëmijët pa ndrojtje. Mos i raftë askujt kjo që më ka ndodhur mua, nuk ia dëshiroj askujt” tha ai.

I pyetur nëse ka patur përpjekje për ta kontaktuar prej familjarëve të efektivit të policisë, ai është shprehur: “As nuk e di, as nuk e njoh, nuk kam asnjë lloj haberi, shteti e di vetë. Drejtësia e di punën e saj. Mos më lodhni më shumë. Më besoni si prind, kush është babë e di mirë atë që ndjej unë”.

Në fund, ai ka patur një mesazh edhe për inskenimin që është bërë para Kryeministrisë, ku një vajzë është shtirur si motra e Klodianit: “Më ka dalë një Bora Rasha, është shtirur si ime bijë dhe motra e Klodianit. Por ime bijë është në shtëpi me të zeza. Boll e kemi peshën e barrës, mos na rëndoni më shumë me këto inskenime’, ka thënë ai.

Deklarata e plotë për mediat: “Shteti të bëjë detyrën që i takon. Jemi popull, kërkojmë drejtësi, kërkojmë që secili të gjejë dhe të gëzojë të drejtën dhe shpresën tek ligji, tek rregullli. Tek ajo që është e mira për të gjithë. Që t’i shërbejë qoftë fëmijës, qoftë të rriturit, qoftë të moshuarit, që të kemi shpresë, të kemi të ardhme. Që rinia të shkëlqejë, që rinia të ecë përpara, që ta shohë jetën e lumtur, që të gëzojë një ditë të re. Të mendojë se vendi ynë është ky, duhet ta ndërtojmë, duhet ta ngrejmë, duhet ta rrisim. Duhet ta mbështesim të gjithë. Si puna e djalit tim, jeni edhe ju të gjithë. Kush është prind e kupton pak më mirë peshën time. Unë nuk i shërbej asnjë lloj politike, unë i shërbej vetëm familjes time. Jam i detyruar të them këto, për hir të fëmijës që unë sot e varrosa. Shteti të bëjë punën e vet, të japë drejtësi, fajtori të shkojë në vendin që e meriton dhe ne të kemi një fije shpresë, një fije mbështetje dhe të mendojmë që kemi një të ardhme për këtë vend.

Kjo mos i rëntë askujt, ishalla vjen dita që të bëhet më mirë, qofshi të gëzuar të gjithë. Dua të bëj një përgënjeshtrim se kjo më rëndon dyfishi. Më ka dalë një Bora Rasha, një Bora Rasha, kur goca ime është me të zeza dhe quhet Marjeta, jo Bora, më ka dalë një Bora duke thënë unë jam motra e Klodianit. Këto prapaskena dhe këto inskenime… mos më rëndoni më tepër se kam peshën e barrës, s’ka nevojë të më rëndoni më tepër.




Skip to toolbar