Fshihej si biznesmen, i bllokohen 750 mijë euro mafiozit të Camorras

AKTUALITET


Një anëtar i klanit mafioz të Camorra është goditur në Shqipëri, ku kishte nisur prej disa vitesh aktivitetin e pastrimit të parave. Policia shqiptare i ka bllokuar 750 mijë euro pasuri mafiozit të dënuar në Itali me 8 vite burg si pjesë e konflikteve mes klaneve mafioze dhe porositës të një vrasjeje në Napoli. Sipas policisë, goditja e italianit u bë gjatë operacionit të koduar “Dentisti”, i cili zgjati rreth 18 muaj dhe mori shtysë pikërisht nga aktiviteti që mafiozi përdorte në Shqipëri për të pastruar paratë, pasi rezulton se kishte investuar në disa laboratorë dentare.

Goditja e fortë u krye nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. “Në hetimin për pastrim parash, grupi hetimor identifikoi, gjurmoi dhe sekuestroi 750 mijë euro pasuri, te cilat dyshohen se rrjedhin nga veprimtaria kriminale”, deklaroi policia.


Sipas të dhënave zyrtare, pasuritë dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i shtetasit italian F. M., 56 vjeç, i dënuar me 8 vite burg në Itali, si pjesë e konflikteve mes klaneve kriminale dhe porositës i një vrasjeje. “Bazuar në informacione nga agjencitë e zbatimit të ligjit nisën hetimet që në muajin prill të vitit 2018, në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Në këtë hetim, krahas bashkëpunimit ndërinstitucional ka pasur bashkëpunim me partnerët italianë, si dhe ndërmjet Prokurorisë së Durrësit dhe të Napolit. Prokuroria e Napolit, në përgjigje të kërkesës për asistencë ligjore të Prokurorisë Durrës, konfirmoi se shtetasi Italian F. M., 56 vjeç, lindur në Itali dhe banues në lagjen nr. 13, në Plazh Durrës, me shtetësi dhe kombësi Italiane është i dënuar nga autoritetet e drejtësisë italiane, si pjesë e klaneve kamorriste në zonën e Napolit, Itali”, tha policia.

Italiani F. M. ishte me leje qëndrimi në Shqipëri dhe ushtronte aktivitetin tregtar që në vitin 2012, ku fillimisht kishte regjistruar një shoqëri sh.p.k, me objekt prodhimi dhe tregtimi i medikamenteve dhe pajisjeve dentare, në Tiranë, me 50 % të aksioneve në pronësi të tij. “Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt prodhimi dhe tregtimi i pajisjeve mjekësore-kirurgjikale për larje dhe dezinfektim ambientesh, ku 45 % të kuotave i posedon F.M. Po në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt laboratore dentare, ku F. M. ka 30 % të kuotave”, deklaroi policia.

Më datë 29 tetor 2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës miratoi kërkesën e prokurorit të Rrethit Gjyqësor Durrës dhe vendosi sekuestron preventive të pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme të shtetasit Italian F. M., vlera e të cilave paraprakisht përllogaritet 750 000 euro.

Këto pasuri përfshijnë 5 apartamente banimi, me sipërfaqe 413.8 m2, në Durrës; 13 garazhe me sipërfaqe 622.7 m2, në Durrës; 1 automjet me vlerë 40 000 Euro dhe afro 10 000 euro llogari bankare. Aktualisht, strukturat për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar po punojnë në bashkëpunim me administratorët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara, për t’i kaluar në administrim të tyre, në bazë të ligjit “Për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara”.




Skip to toolbar