Dorëhiqet para vettingut, gjyqtari i “21 Janarit”

AKTUALITET


Agim Bendo, gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Tiranë ka paraqitur dorëheqjen nga detyra dhe nga sistemi i Drejtësisë në prag të procesit të vettingut.

Gjyqtari Bendo ka paraqitur kërkesën e dorëheqjes pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, një kërkesë që do të shqyrtohet në mbledhjen e së hënës nga KLGJ.


“Shqyrtimi i projektvendimit “Për mbarimin e statusit të magjistratit, të gjyqtarit Agim Bendo, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit” i përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës”, thuhet në rendin e ditës së Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Agim Bendo njihet si gjyqtari i dosjeve të bujshme, pasi ka qenë pjesë e trupit gjykues për dosjen e“21 Janarit”. Bendo gjithashtu ka gjykuar dosjen Hakmarrja për Drejtësi, si dhe ka qenë anëtar i trupit gjykues në çështjen e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

KPK kishte nisur verifikimet për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Agim Bendo, i cili është pronar i disa pasurive, që në muajin shtator të vitit 2018, ndërsa në ditët në vijim ishte parashikuar që ai të dilte para vettingut, por siç duket gjyqtari i ka paraprirë çdo vendimi të pakëndshëm duke paraqitur dorëheqjen dhe duke u larguar nga sistemi i drejtësisë.




Skip to toolbar