Fshihej në Tiranë me pasaportë false, arrestohet gjeorgjiani

AKTUALITET


Policia e Tiranës ka arrestuar një 42-vjeçar nga Gjeorgjia, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si kreu i një organizatë kriminale që ka kryer vepra të ndryshme penale në Gjeorgji dhe shtete të tjera.

“Shërbimet e Fast Albania, bazuar në inteligjencën informative, si dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit me homologët e Fast Mali i Zi, kanë lokalizuar në Tiranë,  një shtetas shumë të kërkuar ndërkombëtarisht. Fast Albania ka zhvilluar dhe ka finalizuar me sukses, operacionin policor të koduar “Kryesori”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua përkohësisht, me qëllim ekstradimin drejt Gjeorgjisë, shtetasi gjeorgjian Mindia Lavasogli, 42 vjeç”, tha policia.


Mindia Lavasogli (Goradze) strehohej në Tiranë, dhe akuzohet si kreu i një grupi kriminal të dhunshëm, me aktivitet kryesisht në krimet kundër pasurisë, në Gjeorgji dhe në vende të tjera.

Gjykata e Kutaisi-t, Gjeorgji, me vendimin nr. 1/532-16, të datës 20.06.2018, e ka dënuar këtë shtetas, me 12 vjet burgim, për veprat penale “Pengimi i veprimtarisë profesionale të gazetarit, kryer me anë të kanosjes”, “Grupi kriminal” etj.

Vijon bashkëpunimin me homologët, me qëllim ekstradimin e shtetasit Mindia Lavasogli, për të vuajtur dënimin.




Skip to toolbar