Gega: Dua fitore ndaj Laçit, s’më interesojnë aleancat!

OPINION


Partizani do të përballet nesër me Laçin, ekip që aktualisht drejtohet nga një ish i kuq, Sulejman Starova. Një ditë para sfidës, trajneri aktual i Partizanit, Skënder Gega, ka folur në konfernencë për shtyp, ku u është përgjigjur gazetarëve për disa çështje. Fillimisht ai ka komentuar përballjen me Sulejman Starovën, si një njeri që e njeh mirë Partizanin.

Përballja me Starovën: “Partizani është i shumë “ish”-ëve, nuk është vetëm i Starovës apo i Gegës. Dëshira ime më e madhe është ta fitoj këtë garë, nuk ka rëndësi kush është në krye të Laçit. Nuk ka një përballje mes personash apo trajnerësh, por mes dy ekipeve. Jam me fat që jam trajner i Partizanit dhe kanë qenë ditët më të mira të karrierës time. Jo rastësisht jemi në vend të parë dhe kemi kaq kohë që udhëheqim kampionatin”.

Titulli duket pranë: – “Që nga dita që kemi marrë kryesimin e deri më sot na pyesin çdo javë për titullin. Jemi munduar të qëndrojmë me këmbë në tokë, lojtarët stërviten njësoj si ditën e parë dhe ky është sekreti. Nuk kam asnjë merak dhe asnjë lloj frike, do t’i marrim gjërat me radhë. Kemi Laçin përpara, një ndeshje e vështirë. Luajmë në Tiranë dhe kemi tifozët, që nuk na ndahen. Besoj do jetë numri më i madh dhe shpresoj t’ia shpërblejmë.”

A ka frikë Partizani nga Aleancat: “Nuk kam ndonjë argument apo provë që janë bërë aleanca dhe nuk më intereson fare kjo temë. Partizani nuk merret dhe nuk do të merret me gjëra të tilla.”

Bilanci me Laçin këtë sezon: “Barazimi? Mua më kënaq vetëm fitorja, por do e pranojmë çdo rezultat, natyrisht. Gojët e liga nuk do mbyllen kurrë, as me ikjen e Gegës. Laçi është ndeshja kryesore për ne, më pas shkojmë në Vlorë.”

Mungesat: – “Çdo javë kemi pasur mungesa, por për fat të mirë kush është futur ka dhënë maksimumin. Gjithmonë kjo ka qenë forca e grupit, edhe nesër i kemi disa mungesa dhe do mundohemi t’i zëvendësojmë. Kalari është veteran, por i ri nga këmbët dhe nga zemra dhe luan në çdo pozicion. Nëse i vjen momenti nesër, do të jetë Kalari i ri, agresiv dhe i fortë dhe do të na japë ndihmë të madhe, megjithëse ende nuk kemi vendosur. Një lojtar me eksperiencë mund të luajë kudo. Sidoqoftë, nuk e kemi vendosur ende për formacionin.”

Komenti për deklaratat e Gjicit se: “Partizani s’është as për vend të katërt: “Ne nuk merremi me problemet e Kukësit. Ai është president i një klubi që ka pasur një 5-vjeçar të mirë. Unë jam në fushën time në futboll, ndërsa presidenti Gjici është biznesmen. Është e drejta e tij të flasë dhe nuk kam asnjë koment për këtë. Gaz Demin nuk e kam parë asnjëherë të flasë për asnjë klub dhe për asnjë ish-trajner. Përkundrazi i ka mbështetur ata që kanë ikur, edhe kundërshtarët. E rëndësishme është që klubi ynë funksionon, të tjerat i tregon fusha”.



Skip to toolbar