Gjermania reagon ndaj kritikave dhe ndryshon radhën e vaksinimit

BOTA


Me miliona doza të vaksinave AstraZeneca janë grumbulluar në frigoriferët e Gjermanisë dhe nuk përdoren. Shkaku është një përzierje mes mosbesimit ndaj vaksinës britaniko suedeze dhe politikës së ngurtë të vaksinimit.

Use it or lose it… kështu titullonte të hënën gazeta britanike “Metro” një artikull për politikën e vaksinimit në Gjermani. Shkak ishte lajmi që vinte nga Gjermania javën e kaluar se tashmë një milionë doza me AstraZeneca po rrinin të papërdorura në frigoriferët e Gjermanisë. Sipas ministrisë së shëndetësisë së Gjermanisë, prodhuesit kanë dërguar 1,7 milionë doza qysh javën e kaluar dhe po dërgojnë gjatë kësaj jave edhe 1,8 milionë të tjera. Deri tani nuk janë përdorur as 15 përqind të vaksinave AstraZeneca.


Problem imazhi

Një nga arsyet është mosbesimi ndaj vaksinës AstraZeneca, e cila thuhet se nuk e ka efektin e duhur ndaj mutantit afrikanojugor, çfarë e ka detyruar qeverinë afrikanojugore që të mos e përdorte më vaksinën britaniko-suedeze. Por virologu i mirënjohur gjerman, Christian Drosten, tha të martën në një takim virtual ekspertësh se kjo nuk vlen për Gjermaninë. “Ne nuk mund të themi që tani se sa do të përhapet mutanti afrikanojugor në Gjermani”, tha Drosten. Leif Erik Sander, gjithashtu profesor në Klinikën Universitare Charite, tha se AstraZeneca, sikurse edhe dy vaksinat e tjera Biontech/Pfizer dhe Moderna është “në përgjithësi një vaksinë shumë e sigurtë”.

Por nuk është vetëm imazhi i cënuar i AstraZenecës, shkak për mospërdorimin e vaksinës. Është edhe rregullorja e vaksinimit në Gjermani, e cila është tepër strikte. Ajo u jep përparësi moshave të larta, ndërkohë që vaksina AstraZeneca është licencuar për grupmoshat nga 18 deri në 65 vjeçare. Edhe sistemi i vaksinimit është organizuar në mënyrë shumë burokratike dhe nuk lejon fleksibilitet, nëse për shembull dikush nuk paraqitet për të bërë vaksinën, kritikojnë ekspertët.

Niveli i vaksinimit ende i ulët 

Aktualisht në Gjermani përdoren përafërsisht 180 000 doza vaksinash në ditë, pjssa më e madhe e të cilave janë nga Biontech dhe Moderna. Deri më 1 mars, janë vaksinuar plotësisht (edhe me dozën e dytë) 2.159.412 persona (pra 2,6 % për qind e gjithë popullsisë). Ndërsa gjithsej numri i personave që kanë marrë nga së paku një vaksinë ishte 4.234.952.

Ndërkohë, sipas burimeve të radiotelevizionit publik gjerman, NDR, ministria e shëndetësisë ka hartuar një draft për të ndryshuar renditjen e vaksinimit. Aty parashikohet që të fillohet vaksinimi edhe për moshën nën 65 vjeçare me AstraZenecan. Duke filluar nga prilli, do të vihen në përdorim edhe ekipe ambulante vaksinimi, dhe vaksinat do të bëhen edhe te mjeku i kompanisë ose mjeku familjar.

AstraZeneca më e mirë se  të  tjerat? 

Studime të reja nga Skocia dhe Anglia kanë konfirmuar ndërkohë se AstraZeneca është madje më e efektshme në parandalimin e infektimit me Covid19. Ekzistencën e këtyre studimeve i konfirmoi në një intervistë për radiotelevizionin publik gjerman, SWR, Thomas Mertens, kryetari i komisionit të përhershëm të vaksinave.

Mertens tha gjithashtu se Komisioni po shqyrton mundësinë e licencimit të AstraZenecas edhe për grupmoshat më të larta. Për AstraZenecan ai tha se “Vaksina nuk e meriton këtë imazh kaq të keq”./DW




Skip to toolbar