GJKKO s’rihapi hetimet mbi Mediun për Gërdecin, SPAK ankimon në Apel

AKTUALITET


SPAK ka ankimuar në Apelin e GJKKO vendimin për të mos hapur hetimin për ish Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.

GJKKO rrëzoi kërkesën e SPAK për rihapje të hetimeve për Mediun për çështjen e shpërthimit të Gërdecit me pretendim se vepra është parashkruar. Ndërsa sot është bërë ankimi në gjykatë kundër vendimit për Mediun dhe SPAK i kërkon Apelit të pranojë kërkesën për gjykimin e ish ministrit.


Sipas vendimit të GJKKO prokuroria ka pasur të gjitha mundësitë që ta hetonte lirisht Fatmir Mediun pasi ai që prej vitit 2012 nuk ka pasur imunitet për t’u hetuar dhe vepra është parashkruar.

Vendim të turpshëm dhe qesharak e ka quajtur Zamira Durda vendimin e ndërsa hedh akuza në drejtim të gjyqtarit Erion Çela, duke thënë se është kërcënuar.

Kujtojmë se Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008-ës, i janë drejtuar me një letër zyrtarisht Gjykatës së Posaçme, ku i kërkonin pranimin e kërkesës së SPAK për nisjen e hetimeve ndaj Mediut. Në letrën drejtuar GJKKO, familja Durdaj shprehet se dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe që i hapin rrugë gjykimit.

Ndërkaq në shkurt të këtij viti, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, iu drejtuan organeve të drejtësisë së re për të rifilluar ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut, ish Ministër i Mbrojtjes.

SPAK e trajtoi pozitivisht këtë kërkesë, duke e vlerësuar se ishte e drejtë të rifillonte ndjekja penale ndaj këtij personi dhe tashmë çështja është në dorën e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit të 2008 rreth orës 12:05 humbën jetën 26 persona, mes tyre dhe djali i familjes Durdaj, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë.




Skip to toolbar