Mbrojtësi Gëzim Krasniqi ka këputur tendinën
Kukësi do të përballet me Laçin në takimin e parë të fazës së katërt të kampionatit. Tashmë në stolin e skuadrës verilindore është ulur Ernest Gjoka, trajner që zuri vendin e Ramazan Ndreut, pasi ky i fundit u shkarkua në fund të takimit të humbur me Kastriotin.
Mirëpo lajmet nuk janë shumë të mira për skuadrën verilindore, pasi një nga mbrojtësit kryesor të ekipit, Gëzim Krasniqi, nuk do të jetë më i gatshëm për skuadrën deri në fund të sezonit.
Krasniqi u dëmtua gjatë ndeshjes me Kastriotin, duke lënë fushën e lojës me barrelë. Pas vizitave mjekësore është mësuar se Krasniqi ka këputur tendinën dhe nuk mund të luajë për disa kohë.
Mediat raportojnë se dhe disa futbollistë të tjetër në ekipin e Kukësit kanë probleme, siç është rasti i Irakli Dzarias, që sipas “Vipsport”, ka shfaqur probleme shëndetësore. Për këtë arsye gjeorgjiani ende nuk dihet nëse do të jetë gati për trajnerin Gjoka.
Ernest Gjoka rikthehet në krye të Kukësit pas dy vitesh, që nga koha kur ekipin verilindor e shpalli kampion të vendit në sezonin 2016-2017. Tashmë, trajneri kryeqytetas, merr përsipër një aventurë të re, për të mbajtur Kukësin në kupat e Europës, mision i cili do të jetë i vështirë deri në fund të kampionatit.
Çështja e titullit kampion duket e mbyllur, pasi skuadra verilindore është 9 pikë larg Partizanit kryesues. Në nëntë javët e mbetura të Superligës do duhej një mrekulli që gjërat të ndryshonin, ndonëse matematika lejon gjithçka.