Tirana del në stërvitje, kthehet Ngoo

Më të fundit


Sulmuesi ende nuk është gati për të luajtur

Tirana nuk do të dalë në fushën e lojës të mërkurën, pasi ndeshjen me Kamzën e ka të fituar në tavolinë me rezultatin 3-0, pasi Kamza është përjashtuar nga kampionati. Megjithatë, skuadra bardheblu, pasi ka bërë një ditë pushim pas ndeshjeve të fundjavës, është rikthyer në stërvitje.

Humbja me Flamurtarin ishte një rezultat që i ka vështirësuar pozitat e Tiranës në renditje, me bardheblutë që ndodhen vetëm 3 pikë larg skuadrës së Kastriotit në luftën për mbijetesë. Stërvitja e parë për këtë javë është zhvilluar ditën e djeshme në kompleksin “Skënder Halili”.

Trajneri Ardian Mema nuk ka pasur në dispozicion të tij disa lojtarë, Albi Doka, Erion Hoxhallari dhe Marvin Turtulli. Ky i fundit ka kryer stërvitje individuale në palestër, pasi gjatë ndeshjes në Vlorë ka pësuar një dëmtim në sy, ndaj stafi nuk ka dashur të rrezikojë.

Ndërkohë, siç raporton “Panorama Sport”, në stërvitjen e ekipit bardheblu është rikthyer Michael Ngoo, i cili pati probleme me gjurin në javët e kalaura. Ky është lajm i mirë për skuadrën, mirëpo futbollisti anglez ende nuk është i gatshëm për ndeshje, pasi vuan dënimin me 5 ndeshje pezullim nga federata.

Me ndeshjen e ditës së nesërme, që nuk do të luhet pasi Kamza është përjashtuar nga kampionati, Ngoo shlyen dënimin për tre ndeshje, ndërsa ende nuk dihet nëse komisioni i apelit në Federatën Shqiptare të Futbollit do të bëjë diçka për të falur dënimin për dy ndeshjet e mbetura të sulmuesit të Tiranës.

Tirana duhet të mobilizohet për takimin e fundjavës së ardhshme, pasi përball do të ketë Teutën, që gjithashtu ka bërë hapa fals në ndeshjet e fundit, duke rrezikuar pozitat për zonën e Europës.



Skip to toolbar