Gjykata Europiane e Të Drejtave të Njeriut në Strasburg, pas një ankese të prindërve të fëmijëve të rrefuzuar nga institucionet parashkollore në Republikën Çeke , për shkak se nuk ishin të vaksinuar, ka vlerësuar dje (të enjten 8 prill) me anë të një vendimi të Dhomës Supreme se ”vaksinimi i detyruar është i nevojshëm në një shoqëri demokratike”.
‘’Ky vendim përforcon mundësinë e një vaksinimi të detyrueshëm në kushtet aktuale të pandemisë së Covid-19’’, komentoi Nicolas Hervieu, jurist i specializuar i Gjykatës së Strasburgut, i pyetur nga AFP.
Nicolas Hervieu, i cili është profesor në ‘’Sciences-Po’’ në Paris, vë gjithashtu në dukje se vendimi i gjykatës bën ‘’konstatimin e një konsensusi të përgjithshëm mbi efektet e dobishme të vaksinimit, të cilat nuk vihen në dyshim nga efektet anësore të pashmangshme, pasi ekziston një kontroll i rreptë mjekësor’’.
Ndaj gjykata mbështet parimin e solidaritetit shoqëror, çka mund të imponojë vaksinimin masiv, madje edhe ndaj atyre që ndihen më pak të rrezikuar nga virusi, kur bëhet fjalë për të mbrojtur personat më vunerabël.
Në vendimin e saj, gjykata konsideron se vaksinimi i detyrueshëm i fëmijëve në Republikën Çeke për nëntë sëmundje (tetanoz, poliomelit, etj), nuk përbën shkelje të dispozitave të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut mbi ‘’të drejtën për të respektuar jetën private’’.
‘’Politika e vaksinimit ndjek objektivat legjitimë të mbrojtjes së shëndetit, si dhe të drejtat e të tretëve, duke mbrojtur në të njëjtën kohë ata që vaksinohen dhe ata që nuk mund të vaksinohen për arësye mjekësore’’, nënvizohet në vendimin e gjykatës.
Këta të fundit, shprehet gjykata, përfitojnë nga imuniteti kolektiv për t’u mbrojtur nga sëmundjet e rënda ngjitëse.
Pra në rastin aktual, mos pranimi i fëmijëve në kopshte, çka përbënte për këta fëmijë humbjen e një mundësie thelbësore për zhvillimin e personalitetit të tyre’’, ‘’ishte më së shumti një masë parandaluese sesa një masë ndëshkimore dhe efektet e saj janë të limituara në kohë’’. LE SOIR
