Greminger: Kriza të zgjidhet me dialog

AKTUALITET


Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger tha të enjten nga Tirana se ngërçi politik në Shqipëri duhet të zgjidhet nga institucionet shqiptare përmes dialogut gjithëpërfshirës. Ai tha se OSBE inkurajon nisjen e dialogut si rruga e vetme demokratike për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.

“Ne padiskutim i ndjekim nga afër zhvillimet politike të Shqipërisë. Shpresojnë që ngërçi të kapërcehet, zgjedhja duhet të gjendet brenda për brenda, ne inkurajojmë dialogun, kërkimin e përbashkët të problemeve që ekzistojnë në vend. Aktorët politikë të angazhohen të gjithë për funksionin e institucioneve demokratike. Dialogu të realizohet duke respektuar Kushtetutën dhe institucionet. OSBE është e gatshme të ofrojë mbështetje por asnjë zgjidhje nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse të gjithë aktorët nuk përfshihen në një zgjidhje”, u shpreh Greminger në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.

Cakaj nga ana e tij tha se qeveria është e gatshme për të nisur dialogun si me opozitën parlamentare, ashtu edhe me atë jashtëparlamentare për të diskutuar për rekomandimet e OSBE për reformën elektorale.

“Jemi të gatshëm për dialog me të gjitha partitë politike në Shqipëri për të negociuar mbi reformën elektorale në përputhje me rekomandimet OSBE. Kjo nuk nënkupton kompromis për legjitimitetin e institucioneve aktuale, apo për ndryshime kushtetuese”, tha Cakaj, në të njejtën linjë me deklaratat e kryeministrit për këtë çështje.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, do të zhvillojë gjatë ditës takime edhe me kryeministrin Rama dhe Presidentin Meta, ndërsa vizita e tij është në kuadër të marrjes së presidencës së OSBE-së, për herë të parë nga Shqipëria, vitin e ardhshëm.



Skip to toolbar