Grenell në Beograd: Trump s`ka kohë, Serbia e Kosova marrëveshje sa më parë

AKTUALITET


I dërguari i Posaçëm i Presidentit të SHBA Donald Trump për ndërmjetësimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, Richard Grenell deklaroi nga Beogradi se kërkon arritjen e një marrëveshje të shpejtë mes dy vendeve. Grenell tha se Trump “nuk dëshiron të humbasë kohën dhe të lejojë që zgjidhja të zgjasë shumë”. “Presidenti Trump nuk dëshiron të humbasë kohën dhe nuk do të lejojë që zgjidhja të zgjasë shumë, nëse nuk ka asnjë përparim. Ne nuk duam të humbim kohë ose të imponojmë zgjidhje. Shpresoj që Serbia dhe Kosova do ta shfrytëzojnë mundësinë që kanë tani”, është shprehur Grenell për gazetën serbe “Blic”.  

Më tej, ai u shpreh se të dyja vendet duhet të bëjnë hapa të shpejtë për gjetjen e marrëveshjes. Grenell konfirmoi se së pari Kosova duhet të anulojë taksën ndaj mallrave serbe, ndërsa do t`i kërkojë Serbisë të ndalojë lobimin kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Ka një hapësirë të vogël dhe SHBA do të përqëndrohet në ecjen përpara. Le të hiqen tarifat, por unë gjithashtu do të insistoj që Serbia të ndalojë lobimin. Këto duhet të ndodhin në të njëjtën kohë. Unë mendoj se jemi afër për ta bërë atë realitet. Njerëzit duan të ecin përpara, të shohin përpara dhe të kapërcejnë të kaluarën”, është shprehur Grenell.

Edhe gjatë vizitës në Kosovë, Ambasadori Richard Grenell i bëri thirrje politikës të anulojë taksën ndaj mallrave serbe, duke nxitur dialogun me Serbinë. Vizita e Grenell në Prishtinë dhe Beograd vjen vetëm pak ditë, pasi ai ndërmjetësoi nënshkrimin e një marrëveshje mes dy vendeve për nisjen e fluturimeve direkte mes Serbisë dhe Kosovës. Richard Grenell, që mban postin e Ambasadorit të SHBA në Gjermani, është caktuar nga Donald Trump si i dërguari i posaçëm për ndërmjetësimin e marrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës.



Skip to toolbar