Hamilton fiton në Montekarlo, Vettel i dyti, Bottas plotëson podiumin

SPORT


Dominimin e nisur pak ditë më parë, vijuar me provat zyrtare, e ka përfunduar sot duke fituar garën e Çmimit të Madh të Montekarlos. Piloti anglez i Mercedes, Lewis Hamilton ka fituar në pistën qytetase, duke bërë një tjetër hap të rëndësishëm për të mbrojtur titullin kampion në Formula 1 edhe këtë sezon.

I dyti në podium u ngjit piloti i Ferrarit, Sebastian Vettel, që përfitoi pas ndëshkimit të Max Verstappen, i cili tentoi të parakalonte në xhiron e fundit Hamilton, por pati një kontakt me makinën e pilotit të Mercedes. Kështu, Verstappen u dënua me 5 sekonda nga komisarët e garës, çka bëri që Vettel që ndodhej pas tij të zinte vendin e dytë. Në vendin e tretë në garën e sotme u rendit piloti tjetër i Mercedes, Valtteri Bottas.


Hamilton u nis i pari në garën e sotme duke e ruajtur kryesimin e saj deri në fund, ndonëse në në xhirot e fundit piloti britanik pati jo pak vështirësi, pasi gomat e tij u konsumuan shumë, por teknikët e skuadrës vendosën që ai ta përfundonte garën pa i ndërruar ato.

Megjithatë, Hamilton ia doli të mbante vendin e parë deri në xhiron e fundit. Pas përfundimitë të garës, Lewis Hamilton u shpreh se fitoren e sotme ia dedikonte Niki Laudas, ish-kampionit të botës në Formula 1 që u nda nga jeta pak ditë më parë. “Kjo ishte ndoshta gara më e vështirë që unë kam pasur”, tha Hamilton.

E ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme garën piloti tjetër i Ferrarit, Charles Leclerc, por piloti nuk arriti ta përfundonte garën e shtëpisë së tij. Leclerc e mbylli garën shumë shpejt pasi strategjia e ekipit por dhe gabimet e tij në pistë, bën që gjithçka të shkonte keq, çka bëri që piloti i kokëkuqes të tërhiqej nga gara.




Skip to toolbar