Lewis Hamilton fiton garën e Çmimit të Madh të Britanisë në Silverstone, duke vendosur një rekord historik në këtë cirkuit, pasi triumfon për të gjashtën herë radhazi. Piloti i Mercedes arriti të triumfonte në duelin me shokun e tij të skuadrës, Valtteri Bottas, duke i shkuar gjithnjë dhe më pranë triumfit edhe për këtë sezon, në botërorin e Formula 1. Jo vetëm kaq, pasi me fitoren e të dielës në Angli, Hamilton koleksionin fitoren e 80-të në karrierën e tij si pilot i Formula 1. Britaniku nuk e ka pasur aspak të vështirë të triumfonte ndaj shokut të tij të skuadrës, ndonëse Bottas e nisi nga ‘pole’.
“E kam të pamundur të përshkruaj se sa krenar jam, të triumfoj përsëri në shtëpinë time përpara kaq shumë flamujve. U jam shumë mirënjohës të gjithëve, por unë do e kisha të pamundur pa ekipin”, tha Hamilton pas garës. Ndërkohë Bottas u rendit në vendin e dytë, ndërsa podiumin e plotësoi talenti i Ferrarit, Charles Leclerc, i cili përfitoi pas një gabimi të shokut të tij të skuadrës, Sebastian Vettel, që i përplas me pilotin e Red Bull, Max Verstappen.
Për shkak të kësaj përplasje, Vettel dëmtoi makinën e tij, por u ndëshkua edhe nga komisarët e garës me 10 sekonda penallti, duke bërë që piloti gjerman ta mbyllte garën në vendin e 16-të. Piloti britanik i Mercedes kryeson renditjen e Formula 1 me 223 pikë, 100 pikë më shumë se rivali i tij i Ferrarit, Sebastian Vettel, që tashmë duket se ka humbur çdo shpresë për të fituar titullin kampion këtë sezon.