Hapet gara për kreun e BKH. Kërkohet një lider që frymëzon 60 hetues

AKTUALITET


Kreu i SPAK, Arben Kraja njofton hapjen e garës për Byronë Kombëtare të Hetimit, ndërsa thotë se kërkohet një person lider që të drejtojë dhe frymëzojë 60 hetues në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në nivelet e larta drejtuese. Kraja thekson se drejtori i BKH-së duhet të jetë një person me integritet të lartë, i aftë profesionalisht dhe i motivuar për të kryer detyrën.

“Kam kënaqësinë t’ju lajmëroj  për shpalljen e Njoftimit për Pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky njoftim shënon hapin e parë të projektit për krijimin e një skuadre të madhe hetuesish të policisë gjyqësore që do të punojnë ngushtësisht me Prokurorët e Posaçëm.  Ne duam të zgjedhim një person që ka integritet, përvojë profesionale dhe një sërë aftësish si lider për të drejtuar dhe frymëzuar një grup prej rreth 60 hetuesish. Unë do të doja që t’iu bëja thirrje të gjithë personave të interesuar, femra dhe meshkuj, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Ligjin për SPAK-un, që të aplikojnë për këtë pozicion pune. Në mënyrë që SPAK-u të jetë i suksesshëm, ne kemi nevojë për  Drejtorin më të aftë dhe më të motivuar në drejtimin e BKH-së”, thekson kreu i SPAK.


I gjithë procesi i përzgjedhjes së drejtuesit të BKH-së do të monitorohet nga ndërkombëtarët, ndërsa kandidati fitues do të trajnohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Të gjithë aplikantët do të ftohen të marrin pjesë në një proces rigoroz dhe sfidues përzgjedhjeje, që përfshin aplikimin elektronik, testimin e aftësive fizike, provimin me shkrim, intervistimin e strukturuar dhe verifikimin e thelluar të pasurisë dhe integritetit.

Procesi do të jetë tërësisht transparent dhe do të monitorohet nga Komisioni Ndërkombëtar. Kandidati fitues do t’i nënshtrohet  një programi të gjatë trajnimi që do të sigurohet nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara, me trajnerë të specializuar nga Byroja Federale e Hetimit (FBI)”, përfundon njoftimi i kreut të SPAK.

Personi që do të përzgjidhet nga ky proces, do të jetë pjesë e një grupi elitë që mbështet Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorët e Posaçëm, të cilët do të hetojnë veprat penale nën juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.




Skip to toolbar