Real Madrid krijon ekip për femra, “Galaktikja” e parë një shqiptare

SPORT


Real Madrid ka vendosur të krijojë një ekip femrash, që do të garojë në Liga Iberdrola (kampionati i futbollit për femra në Spanjë), dhe lojtarja e parë e këtij ekipi, pritet të jetë një futbolliste me orgjinë shqiptare, Kosovare Asllani. Sulmuesja, që aktualisht luan për Linkoping në Suedi dhe kombëtaren e këtij shteti, është në krye të listës së lojtareve që pritet të transferohen nga Real Madrid, për të krijuar ekipin e ri. Sipas medias spanjolle “AS”, Asllani, e njohur në Suedi si “Zllatan femër”, do të jetë “Galaktikja” e parë femër në Madrid.

Në fakt, Reali nuk ka një ekip femrash, dhe klubi ka miratuar vendimin për të krijuar një të tillë, që do të garonte në kampionat gjatë sezonit 2019/20. Mirëpo, për shkak të kohës së kufizuar, skuadra nuk mund të krijohet, për këtë arsye, klubi  ka vendosur të bashkëpunojë me ekpin CD Tacon, i sapo ngjitur në elitën e futbollit të femrave në Spanjë. Ky ekip, gjatë sezonit 2019/20 do të garojë nën logon e Real Madrid Femra, ndërsa pas një sezoni do të njihet zyrtarisht si “Real Madrid Femenino”.


Skuadra e CD Tacon do të stërvitet në komplekset stërvitore të klubit “Losblancos”. Kosovare Asllani është lojtare e lirë për momentin pas përfundimit të kontratës me Linkoping. Më parë, ajo ka luajtur për PSG dhe Manchester City, ndërsa është pjesë e skuadrës kombëtare të Suedisë, ekip me të cilin së fundi shkoi deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës për femra.




Skip to toolbar