Hashim Thaçi dekretoi Albin Kurtin si Kryeministër të Republikës së Kosovës. Presidenti Thaçi nuk humbi kohë, duke firmosur dekretin që e bën Albin Kurtin Kryeministër, pasi kreu i Lëvizjes Vetëvendosje kërkoi më hëret mandatin.
“Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, shkruan Thaçi në njoftimin e dekretit të Kurtit si Kryeministër i Kosovës.
Megjithatë, pasi kreu i Vetëvendosjes njoftoi publikisht se kishte pranuar të merrte mandatin, Thaçi e ftoi atë për takim në zyrën e tij në orën 12:00 të ditës së hënë. Mirëpo Albin Kurti refuzoi të shkonte për të marrë mandatin nga Presidenti i Kosovës.
Ndërkohë, pas lajmit se Albin Kurti kishte kërkuar mandatimin për Kryeministër të Kosovës, reagoi LDK-ja, e cila shprehur qëndrimin se ishte gati për koalicion, pavarësisht se veprimet e Vetëvendosjes i cilësoi “të njëanëshme”. Albin Kurti ka dy javë kohë në dispozicion për të krijuar qeverinë e re sipas Kushtetutës së Kosovës.