Helmimi i fëmijëve në kopshtin e Gramshit, vezët rezultuan të kontaminuara me salmonelë

AKTUALITET


Helmimi i fëmijëve në kopshtin nr.1 të Gramshit ka ardhur për shkak të vezës së kontaminuar me salmonelë.

Analizat iu morën 72 personave, 53 fëmijëve dhe 19 anëtarëve të stafit të kopshtit dhe u dërguan në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik. Nga salmonela u prekën 17 fëmijë.

Episodi i helmimit masiv ka ndodhur më 20 maj, por u bë publik pak ditë më pas nga një familjar, i cili denoncoi publikisht helmimin e nipit të tij.

Pak ditë më parë, prindërit e fëmijëve të këtij kopshti dolën në protestë, duke kërkuar hetimin e personave përgjegjës dhe marrjen e masave për sigurinë ushqimore.

Kryetari i bashkisë së Gramshit, Besjan Ajazi mohoi akuzat për intimidim dhe fshehje të ngjarjes, teksa theksoi se kompania “Nelsa SHPK” që ka fituar tenderin për furnizimin me ushqime të kopshtit ka kryer të gjitha analizat e nevojshme higjeno-sanitare.

Salmonella është një bakter që gjendet zakonisht te mishi i pulës dhe vezët ndaj dyshimet e para janë tek kompania private “Nelsa shpk”, e cila ka fituar tenderin për furnizimin e kopshtit me ushqime.



Skip to toolbar