Helmohen 113 persona në Bulqizë, a është uji fajtori?

Më të fundit


Gjatë 3 ditëve të fundit janë të shumtë personat që janë shtruar në spitalin e Bulqizës me simptomat e helmimit. Mjekët dyshuan se kjo gjendje ka ardhur si rezultat i ujit të pijshëm, duke detyruar edhe Institutin e Shëndetit Publik të kryente disa analiza të tij.

Nga përgjigja paraprake duket se uji nuk ka pasur ngarkesë mikrobiologjike apo ndotje mikrobiale.


Megjithatë ISHP është në pritje të rezultateve të plota edhe të gjendjes fiziko-kimike dhe toksikologjike të ujit.

“Përgjigja e analizave të para për ujin në Bulqizë. Në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik ka dalë rezultati i një prej analizave mikrobiologjike të ujit të pijshëm marrë në rrjetin ujësjellës, që dyshohet të ketë shkaktuar disa simptoma në banorët e ‘Lagjes së Vjetër’ në Bulqizë.

Përgjigja e mostrës së sjellë nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, Njësina Vendore e Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, në laboratorin e ISHP, ka dalë negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale. Për një përgjigje më të plotë për shkaktarin e simptomave tek qytetarët e Bulqizës duhet të presim rezultatet e tjera të analizave nga mostrat e marra nga grupi i ISHP në Bulqizë.

Nga ana e specialistëve të ISHP në zonën ku janë paraqitur më shumë raste, janë marrë mostra uji në rrjetin ujësjellës, këto mostra janë në proces analizimi për parametrat mikrobiologjik, fiziko-kimike dhe toksikologjike (metalet e rënda dhe pesticidet), këto analiza pritet të dalin në ditët në vijim.” – thuhet në deklaratën e ISHP




Skip to toolbar