Lajmet se perimet dhe frutat rriteshin me hormone, pesticide dhe me materiale ndërtimi bëri që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të kryente kontrolle në fermat dhe serat e Beratit dhe Fierit.
Sipas AKU-së janë kryer verifikime magazinat që ushtrojnë aktivitet për shitjen e fruta-perimeve me shumicë dhe janë kryer teste nga mostra të ndryshme të marra në laborator. AKU tha se të gjitha kanë dalë brenda normave të përdorimit të pesticideve.
“Për rastet kur është konstatuar mos përmbushje e kërkesave ligjore, inspektorët kanë marrë masa administrative ndaj subjekteve. Shkeljet e konstatuara kishin të bënin kryesisht me mangësi në dokumentacionin për gjurmueshmërine e produktit. Perimet e prodhuara nga fermerët e Myzeqesë dhe kudo në vend janë brenda parametrave të sigurisë dhe standardeve ushqimore bashkëkohore. Për rrjedhojë edhe të kërkuar nga vendet e BE-së dhe kjo vërehet nga rritja e eksporteve të fruta-perimeve drejt vendeve si Greqia, Italia dhe vende të tjera evropiane etj. Pothuajse çdo ditë nga Shqipëria dalin produkte (fruta, perime) me destinacion vendet e BE-së.” – thuhet në njoftimin e AKU