Partia Demokratike i ka dërguar një tjetër kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë verifikimet për Mark Babanin e Bashkisë së Vaut të Dejës, pasi dyshohet se ai ka fshehur ndalime, dënime dhe dëbime nga Italia dhe Maqedonia e Veriut. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i ka dërguar prokurorisë të gjithë informacionin që disponon Partia Demokratike për kryebashkiakun e tretë të Edi Ramës, që rezulton, sipas PD-së, me të kaluar kriminale.
Shkresën drejtuar Prokurorisë, PD ia ka nisur për dijeni ambasadës amerikane në Tiranë, delegacionit të BE-së dhe ambasadave të vendeve anëtare në BE.
Sipas PD-së, Mark Babani ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit, pasi ka fshehur se ka qenë i arrestuar në Itali gjatë periudhës 1994 -1999 dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. “Nga ana tjetër, të dhëna të bëra publike më parë tregojnë se ai ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe më pas dënuar edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës 2002-2003”,- thuhet në shkresën e Partisë Demokratike.
Sipas PD-së, nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Mark Babani nga periudha 1994 – 2005 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë me identitetin e tij real, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.
Partia Demokratike vë në dijeni Prokurorinë edhe për të paktën 3 indentitete të tjera që Mark Babani, nuk i ka deklaruar në formular.
“Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Mark Babani ka deklaruar se ka mbajur identitetin e ndryshuar Mark Ndoc Babaj, i datëlindjes 24.12.1966. Ekzistojnë dyshime të arsyeshme sipas indicieve të bëra publike më parë, se ky shtetas, gjithashtu në mënyrë ilegale ka mbajtur edhe disa identitete të tjera, të padeklaruara në Formularin e Dekriminalizimit, si më poshtë:
1. Mark Ndoc Babani, i datëlindjes 24.12.1965
2. Marq Saimir Babaj, i datëlindjes 11.06.1967
3. Ylli Saimir Babaj, i datëlindjes 02.11.1968”, njofton PD.
Më herët PD zbuloi të dhëna se kryebashkiaku i Shkodrës, Valdrin Pjetri kishte qenë i dënuar më parë në Itali. Kjo solli dorëheqjen e Pjetrit nga posti i kryetarit të bashkisë së Shkodrës. PD gjithashtu i ka kërkuar prokurorisë verifikimin për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku, i cili dyshohet se ka qenë i dënuar më parë në Greqi. Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur se pret përgjigje nga Italia dhe Greqia për dy rastet në fjalë.