Gjashtë oficerë policie mbetën të plagosur në Filadelfia të SHBA, pasi një person i armatosur hapi zjarr ndaj tyre, duke shënuar një tjetër incident të armatosur, pak javë pas atyre në El Paso dhe Dejton, që lanë rreth 30 të vdekur. Këtë herë një person i dyshuar për drogë ka hapur zjarr ndaj policisë duke plagosur 6 oficerë.
Efektivët e policisë do të kryenin një kontroll për drogë në shtëpinë e të dyshuarit, kur ky i fundit qëlloi, duke i dhënë jetë një beteje të armatosur. Përballja zgjati rreth 7 orë, me policinë që i bënte thirrje agresorit që të dorëzohej. Ndërkohë, një skuadër speciale shpëtoi dy oficerë dhe tre civilë që kishin mbetur të bllokuar brenda shtëpisë me personin e armatosur.
Më pas, autori i të shtënave, i identifikuar nga mediat amerikane si Moris Hill, u vetëdorëzua duke dalë nga shtëpia me duart lart. Avokati i tij bëri të ditur se kishte ndihmuar policinë që të negocionte dorëzimin. I dyshuari ishte i armatosur me një armë gjysmëautomatike dhe pistoleta të shumta. Gjatë përballjes ai qëlloi ndaj furgonit të forcave speciale, duke detyruar agjentët e policisë të veshur me anti-plumb të fshiheshin prapa automjeteve.
6 oficerët që morën plagë gjatë përballjes janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë dalë nga spitali. Shefi i policisë lokale deklaroi se shumë prej tyre u ishte dashur të dilnin nga shtëpia e të dyshuarit me shpejtësi dhe përmes dritareve për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave të qëlluar prej tij. Ndërkohë, një oficer i shtatë që mbeti i plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor, ndërsa shkonte drejt vendit të ngjarjes ndodhet ende në spital.