Shqipëria nuk lëkundet nga influenca ruse, vazhdon të jetë partner strategjik i SHBA-ve. Ky është mesazhi që kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dha gjatë takimit të zhvilluar me Drejtorin për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik. Në takim është rikonfirmuar partneriteti strategjik i Shqipërisë me SHBA, si një nga më të ngushtët dhe themelorët për politikën e jashtme shqiptare dhe kjo nuk ka për të ndryshuar. Gjatë një postimi në Facebook, Balla konfirmon se qeveria nuk njeh partner tjetër strategjik përveç SHBA dhe anëtarësimi në BE është rruga e duhur për vendin.
“Për Shqipërinë marrëdhëniet me SHBA janë të rëndësisë parësore dhe strategjike. SHBA janë aleati dhe partneri ynë strategjik. Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara përbën një nga themelet e politikës sonë të jashtme. Qeveria jonë e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama është e angazhuar maksimalisht për të qenë partner i vendosur përkrah SHBA në drejtim të zhvillimeve demokratike, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në Ballkanin Perëndimor e më gjerë, të konsolidimit të ekonomisë së tregut, të luftës kundër terrorizmit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut.” shkruan Balla
Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, David Kostelancik ka zhvilluar takime edhe me opozitën jashtë parlamentit. Fillimisht ai zhvilloi një takim me kreun e Partisë Demokratike , Lulzim Basha, takim që zgjati rreth 60 minuta në ambientet e selisë blu. Nga takimi nuk bëhen të ditura çështjet e diskutimit, por Kostelancik është dërguar nga SHBA në Tiranë për të ndaluar influencën ruse, shqetësim që amerikanët e kanë shprehur kohët e fundit pas nisjes së hetimit ku implikojnë Lulzim Bashën, se kanë përdorur para ruse për të lobuar në SHBA. Gjithashtu Kostelancik pati edhe një takim me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.
Përveç hetimit të Bashës, prania e influencës ruse në Shqipëri është parë edhe nga “mbrojtja” që Ambasada Ruse në Tiranë i bëri presidenti Meta gjatë sulmit të tij kundrejt Reformës në Drejtësi dhe filantropit George Soros. Kostelancik ndodhet në Tiranë, pikërisht për të larguar këto hije dyshimi të influencës ruse në Shqipëri.