Patozi, lum kritikash për Reformën në Drejtësi: S’kemi parë asgjë konkrete

AKTUALITET


Në 3-vjetorin e Reformës në Drejtësi, në vend të një urimi, kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka rreshtuar një lum kritikash dhe më kryesorja janë vonesat në dhënien e rezultateve konkrete të kësaj reforme.

 Patozi shkruan se tre vite nga miratimi në parlament, nuk është parë asnjë vendim konkret nga zbatimi i saj.


“Në vend të një urimi për reformën, Reforma në Drejtësi nuk ka nevojë, as ta qash, dhe as të ngresh dolli shqiptarçe për të, duke pasur parasysh gjithmonë “armikun”, që është duke plasur nga marazi për ata që kanë festë.

Mjafton që ajo të fillojë një ditë nga puna, se këto tre vjet kanë qenë vetëm stërvitje për një shërbim, i cili ende nuk është kryer.

Prandaj na i kurseni, po mundët, si mallkimet, ashtu edhe gotat e shampanjës për një ngjarje, që ende nuk ka ndodhur, por është vonuar jashtëzakonisht me kontributin e të gjithëve! Uroj që vitin e ardhshëm askush të mos kujtohet për 4-vjetorin e 22 korrikut të votës në parlament. Do të ishte prova më e qartë se subjektet e reformës janë duke u marrë me halle më të mëdha se përkujtimoret”, shkruan Patozi.

Ky mesazh i tij vjen në një moment kur Kuvendi i Shqipërisë përkujtoi 3 vjetorin e miratimit të reformës në drejtësi dhe i dha një mesazh të qartë se kjo reformë është e pakthyeshme dhe e panegociueshme me palët politike. Kohët e fundit presidenti ka shtuar sulmet kundër reformës në drejtësi duke folur për këtë çështje me të njejtën gjuhë si ish kryeministri Berisha.




Skip to toolbar