5 milion lekë gjoba, AKU ndëshkon restorantet e bregdetit

AKTUALITET


Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka gjobitur të tjera biznese, të cilat janë gjetur me shkelje në fushën e sigurisë ushqimore. Gjatë kontrolleve të AKU, në Berat, Vlorë dhe Durrës, është bërë gjobitja e disa bizneseve, kryesisht në fushën e bareve dhe restoranteve, por edhe të njësive të tregtimit të produkteve ushqimore, të cilat janë gjetur në shkelje të ndryshme.

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Suljan Skura” Kuçovë, Berat, me aktivitet “Tregti me shumicë të artikujve të ndryshëm ushqimor”, u konstatua se subjekti ushtronte veprimtarinë pa u pajisur me licensën përkatëse. Gjatë kontrollit të kryer u evidentua se kushtet higjeno-sanitare në ambientet e përpunimit ishin të papërshtatshme, produktet ushqimore nuk ishin të sistemuara dhe një pjesë e madhe e produkteve (pije freskuese, ujë dhe birra) ishin vendosur në ambjentin e jashtëm të ekspozuara ndaj agjentëve atmosferik dhe dëmtuesve të ndryshëm.


U evidentuan gjithashtu një sërë produktesh me afat të kaluar përdorimi (miell) si dhe produkte të papajisuara me etiketë në gjuhën shqipe (oriz, kos frutash dhe pije energjike). Nga shqyrtimi i dokumentacionit u konstatua se subjekti nuk dispononte sistemin e gjurmueshmërisë për produktet që tregtonte, si dhe nuk dispononte planin e vetëkontrollit. Ndaj këtij biznesi AKU ka vendosur disa gjoba, vlera e të cilave shkon në 2.6 milion lekë.

Ndërkohë, ndaj restorantit “Pastarrella” në Vlorë është vendosur gjobë me vlerë 1.1 milion lekë, për shkak se nuk dispononte licensën përkatëse. Gjithashtu, në Dhërmi, ndaj restorant “Piratët”, AKU ka bërë gjobitjen e këtij biznesi pasi ushtronte aktivitet pa pasur licensë.  

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Emiljano Dosku” me aktivitet “Bar-Restorant” Ishëm, Durrës, u konstatua se ambientet e përgatitjes së ushqimeve ishin tërësisht të hapura dhe të ekspozuara ndaj pluhurave, mungonte magazina për mbajtjen e lëndës së parë, si dhe punonjësit nuk ishin të pajisur me libreza shëndetësore. Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masën administrative:  “Gjobë” me vlerë 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare.




Skip to toolbar