Irani paralajmëron: Shqipëria gaboi, të kthehet në rrugën e duhur

POLITIKË


Irani e ka cilësuar vendim të gabuar dhe të pabazuar në prova dëbimin e dy diplomatëve iranian nga Shqipëria. Në një konferencë për mediat i pyetur për dëbimin e diplomatëve, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Abbas Mousavi tha se Shqipëria ka bërë disa gabime dhe se duhet të kthehet në rrugën e duhur, pasi ajo në të cilën ndodhet nuk është konstruktive.

Gjithashtu duke iu referuar SHBA-ve si palë të treta, Mousavi tha se marrëdhëniet e mira mes dy vendeve nuk duhet të ndikohen nga jashtë dhe shpresonte se qeveria shqiptare do të rishqyrtonte çështjen.


“Ne mendojmë se qeveria shqiptare ka kryer gabime të përsëritura dhe e ka bërë këtë pa asnjë provë. Ne e dënojmë këtë veprim dhe shpresojmë se qeveria shqiptare do të kthehet në rrugën e duhur konstruktive. Duke shpresuar se Shqipëria do të rishqyrtonte çështjen dhe do të parandalonte që lidhjet e mira midis dy vendeve të preken nga një palë e tretë” është shprehur Mousavi.

Disa ditë më parë, Shqipëria dëboi dy diplomatët iranianë, Mohamed Peimanemati këshilltar i tretë i Ambasadës së Iranit në Tiranë dhe Seyed Ahmad Hosseini, atashe kulturor i Iranit në Shqipëri, duke i shpallur persona të padëshirueshëm.  Dy diplomatët iranianë akuzohen për cenim të sigurisë kombëtare duke pasuar dëbimin e ambasadorit iranian dy vite më parë nga Shqipëria. Ata dyshohet se kanë pasur lidhje me ish-komandantin e forcave “QUDS”, Kasem Sulejmani, që u vra më 3 janar nga forcat amerikane në Irak. Vendimi për dëbimin e dy diplomatëve iranian u përshëndet edhe nga DASH, i cili tha se “regjimi iranian kamuflon aktet terroriste përmes të ashtuquajturve diplomatë”.




Skip to toolbar