Atentati në Vlorë, arrestohet një nga të përfshirët

Më të fundit


Policia e Vlorës ka arrestuar të martën një nga autorët e përplasjes me armë që ndodhi rreth një muaj më parë në zonën e Lungomares. Personi i arrestuar është Inez Hajrulla, i njohur si kontingjent kriminal dhe me nofkën “Ini i Çones”. 27-vjeçari ishte shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 10 maj 2019 në Lungomare ku këtij të fundit iu bë atentat dhe Hajrulla iu kundërpërgjigj me armë dhe më pas u largua nga vendngjarja.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas është kundërpërgjigjur me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit ku ndodheshin personat e pa identifikuar që kanë hapur zjarr me armë në drejtim të lokalit ku ndodhej shtetasi I.H“, deklaroi Drejtoria e Policisë së Vlorës.


27-vjeçari Hajrulla, djalë i biznesmenit vlonjat, Robert Hajrulla, njihet si person me rrezikshmëri në Vlorë, ndërkohë lokali dhe zona ku qëndronte ai, konsiderohet nga policia si zona bazë e grupit të Edison Harizaj, i vrarë në nëntor 2018 në një atentat në Durrës. I riu Inez Hajrulla, i ka shpëtuar më parë dhe dy atentateve të tjera në Vlorë.

Që nga nëntori 2017 jeton invalid pasi njëra këmbë, i është këputur gjatë një atentati me tritol në makinë. Gjithashtu nga gjykata e Vlorës Hajrulla është dënuar në 5 shkurt 2018 me 2 vite burgim për akuzën e “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Por ky dënim me burgim është pezulluar duke e kaluar Inezin në shërbim prove. Por në 28 dhjetor 2018 Inez Hajrulla dënohet sërish nga gjykata e Vlorës me 8 muaj burgim për akuzën e “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Hajrulla ishte prej ditësh në kërkim nga uniformat blu të qytetit bregdetar për “vrasje të mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Nga atentati mbeti i plagosur krejt rastësisht një punonjës i Bashkisë së Vlorës, i quajtur Dajko Cenodemaj, 58 vjeç, i cili po pinte kafe me tre miq të tij në Lungomare.




Skip to toolbar