Janë kërcënuar për shkak të detyrës, 13 prokurorë dhe 2 gjyqtarë në mbrojtje të posaçme

AKTUALITET


Për 13 prokurorë dhe 2 gjyqtarë është caktuar mbrojtje e posaçme, apo në disa raste është zgjatur afati i saj gjatë vitit 2023 dhe muajve të parë të 2024-ës.

Mbrojtja e posaçme është miratuar nga komisionet për mbrojtjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve me dyshimet se për shkak të detyrës, magjistratëve, që vijnë nga rrethet gjyqësore, por edhe Prokuroria e Posaçme i rrezikohet jeta për shkak të detyrës.


Referuar të dhënave zyrtare të këshillave që qeverisin sistemin, KLGJ dhe KLP, harta e rretheve gjyqësore ku rezultojnë të ushtrojnë detyrën janë prokuroritë më të mëdha në vend.

Ndërkohë rastet e bëra publike tregojnë se kërcënime kanë marrë magjistratë që ushtrojnë detyrën në Tiranë, pranë SPAK, Elbasan apo edhe Shkodër.

Në Prill të këtij viti, një sasi tritoli shpërtheu në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Stërkaj, i cili është vendosur në mbrojtje.

Në vjeshtën e 2023, goditja e një grupi kriminal të vrasësve me pagesë zbuloi një plan të mundshëm eliminimi ndaj dy prokurorëve, të SPAK Doloreza Musabelliu dhe të Lushnjës, Merita Selimi.

Dy rastet e fundit, sollën ndryshime ligjore të miratuara në dhjetor të 2023 nga qeveria për zbutjen e rregullave për marrjen e mbrojtjes dhe zgjerimin e rrethit të personave që ruhen nga Garda e Republikës.




Skip to toolbar