Rama e Basha mund të duartrokiten vetëm njëherë për të njëjtën marrëveshje

OPINION


Alfred Lela

Takimi në Pallatin e Kongreseve, mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe ‘dy opozitave’, të martën në mesditë, ishte gjysma e një deja vu-je politike ‘të vuajtur’ edhe më parë nga sytë e shqiptarëve. Në pranverën e 2017, Rama dhe Basha, bashkë me ekipet e tyre qenë takuar po aty për të certifikuar një pakt politik, të duartrokitur fort, që prodhoi paqe, një qeveri teknike dhe një palë zgjedhje.


Ndryshimi, ndoshta i vetmi, është se shtysat e asokohe vinin nga gjermanët dhe amerikanët ndërsa tani, sipas burimeve të Politiko, pas negociatës qëndronin britanikët që i kishin filluar përpjekjet që në verë. Demarshet britanike bënë që palët të gjenin një shteg për te tryeza e bisedimeve dhe procesi politik, të bllokuara me gjithsej që nga mesi i shkurtit të vitit të shkuar, kur PD dhe LSI morën vendimin e djegies së mandateve parlamentare dhe më vonë të mospjesëmarrjes në zgjedhjet e qershorit.

Ata që i ndjekin kronikat politike mund ta shpjegojnë tashmë shfaqjen e shpeshtë në dyert e selisë blu të ambasadorit britanik.

Prapaskena, megjithë joshjen që loz për sensin vuajerist të njeriut, do të thotë pak për ngjarjet që janë vënë në skenë nga opozita dhe mazhoranca në harkun kohor të një vitit të gjatë, intensiv, të rrejshëm, shterrues, anti-demokratik, antiproduktiv dhe, pse jo, antikombëtar.

Episodi i ‘shfajësimit’ nga gjykata të kryetarit të PD, Basha për të ashtuquajturin lobim rus mund të jetë vetëm një rastësi e çuditshme, por edhe nëse është asgjë më shumë se një përkim aksidental prapëseprapë shpjegon shumë për procesin politik në Shqipëri, seriozitetin e palëve, dhe zgjidhjet në cajtnot, që janë tashmë pjesë e traditës sonë politike.

Ndoshta Basha dhe Rama presin duartrokitje për këtë shtendosje, apo të paktën një ofshamë të madhe kombëtare lehtësimi.

Nuk meritojnë asnjërën.

Krejt të kundërtën: ata duhen gjykuar publikisht për kohën e humbur të Shqipërisë dhe të shoqërisë, në labirintin qorr të përllogaritjeve politike. Sigurisht, ndoca do të donin që gjithë faji t’i merrej Bashës e t’i jepej Ramës, duke qenë se ky i fundit është ‘vëllai i madh’, ‘i zoti i shtëpisë’, ‘padroni i të gjitha pushteteve’ dhe, rrjedhimisht i të gjitha lëshimeve, e me radhë.

Mendoni për një sekondë nëpërmjet fijes së hollë të një logjike tjetër: që dyshja që mbërrin te zgjidhja është dyshja që duhet fajësuar edhe për nyjën. Se çfarë ka humbur Shqipëria, ‘e lidhur nyjë’ në pabesinë politike të dy liderëve, mund të vlerësohet në masën e energjisë shoqërore dhe në vëllimin e ekonomisë dhe imazhit kombëtar. Që prej shkurtit energjia e publikut shqiptar ka qenë e zhbalancuar nga pasiguria shoqërore, politike dhe ekonomike që krijonte në vend kriza politike. Ekonomia kombëtare, siç ndodh në të gjitha turbullirat politike u zhvendos drejt shemrës së vet, informalitetit apo, për të përdorur një togfjalësh të sjellë në zemër të debatit nga kryeministri, Kap Çfarë të Kapësh.

Një vit i kaluar në këtë kaos është një vit i humbur për Shqipërinë dhe secilin prej nesh. Të vetmit që operojnë sipas një kalendari tjetër, ku koha, edhe kur është në regres matet me progresion, janë ‘lordët e politikës’. Për faktin se ata kontrollojnë hyrjet dhe daljet në të dy anët e sistemit, i cili edhe pse duket sikur është përballje dy polare, është një dhe i vetëm.

Për këtë arsye nuk mund ta duartrokasim Ramën dhe Bashën. Një vit që nuk mund ta na e kthejnë dhe na e kanë humbur në xhepat e llogarive të tyre, nuk kemi pse ta shpallim si fitore.

Humbjes pse t’i shtojmë edhe naivitetin.

E kundërta e të cilit na mëson se, Rama dhe Basha mund të duartrokiten vetëm njëherë për të njëjtën marrëveshje. Gjë që e kemi bërë: më 17 maj 2017.




Skip to toolbar