Kajmaku fiton tenderin publik, PD kërkon anulim

POLITIKË


Në një kohë kur Agim Kajmaku figuron në arrati i akuzuar për 3 vepra penale, Ministria e Brendshme i ka dhënë një tender kompanisë së gruas së tij, konkretisht më 30 dhjetor 2019 për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbërta për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Kompania figuron në emër të bashkëshortes Merita Kajmaku, ku pas zgjedhjes në krye të Bashkisë Vorë, Agim Kajmaku i ka kaluar pronësinë gruas së tij.

Kajmaku ka figuruar si pronar i firmës deri më 17 korrik, më pas i ka kaluar pronësinë Merita Kajmakut, e cila ka fituar në fund të vitit të kaluar një tender me vlerë 50 milionë lekë të vjetra nga drejtoria e blerjeve të përqendruara në Ministrinë e Brendshme. Në garë ishin katër kompani, njëra është shkualifikuar, ndërsa nga tre të tjerat ka fituar firma ‘Kajmaku’.


Në lidhje me rastin ka reaguar edhe Partia Demokratike duke thënë se ky rast dëshmon se e vetmja gjë që Edi Rama di të bëjë është të plaçkisë paratë e shqiptarëve me ca kriminelë duke i dhënë gruas së Agim Kajmakut një tender, në një kohë kur ish- kryebashkiaku i Vorës është në arrati dhe akuzohet për falsifikim formularësh vula e stampa, ushtrim kompetencash përtej afatit dhe falsifikim dokumentesh kryer në bashkëpunim. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi bëri thirrje për anulim të tenderit kriminal dhe paratë e shqiptarëve nuk mund t’i marrë dikush që e ka vendin në burg.

Agim Kajmaku është rasti më flagrant i plaçkitjes së buxhetit nën mbrojtjen e Edi Ramës.

Faktet janë të pakundërshtueshme:

1. PD publikoi në Gusht 2019 dokumente se Agim Kajmaku i Vorës rezulton i dënuar në Greqi, por Edi Rama e mbrojti.

2. Denoncimi i Partisë Demokratike u faktua i vërtetë, por Edi Rama nuk e shkarkoi.

3. Drejtësia kërkoi arrestimin, por Agim Kajmaku u lajmërua më parë dhe u lejua të arratiset.

4. Agim Kajmaku u arratis në nëntor 2019, por Edi Rama i dha në janar 2020 tender 57 milionë lekë.

Duke i dhënë miliona lekë një personi në arrati, që ai e emëroi kryebashkiak të Vorës dhe nuk guxoi ta shkarkonte, Edi Rama dëshmon, në mënyrë të përsëritur, se e vetmja gjë që di të bëjë është të plaçkisë paratë e shqiptarëve me ca kriminelë, oligarkë dhe të korruptuar.

Ky tender kriminal duhet anuluar! Paratë e shqiptarëve nuk mund t’i marrë një i arratisur që e ka vendin në burg!”, shkruan Bardhi.




Skip to toolbar