Kaseta për Krushën e Madhe? Rakipllari: Akuzat e ndërsjellta për arsye politike

AKTUALITET


Drejtori i Informacionit në “News 24”, Robert Rakipllari, i ftuar në emisionin “Real Story”, duke folur për një kasetë të masakrës së Krushës së Madhe, ku akuzohet lideri i PD Lulzim Basha se e ka fshehur, u shpreh se këto deklarata bëhen në fushatë elektorale, ndërsa shtoi se gjithçka duket se është pjesë e një diskursi shqiptar, ku aktorët politikë akuzojnë njëri-tjetrin si “tradhtar”.

“Akuzat ndaj liderit të opozitës Lulzim Basha se paska fshehur një kasetë nga masakra e Krushës së Madhe, unë besoj se bëhen për shkak se është kryetar opozite. Të gjithë duhet ta dimë se çfarë ka bërë Basha më përpara, sepse është kryetar i opozitës. Edhe ndaj Ramës ka pasur akuza, duke i thënë se ai dhe Thaçi kanë dashur që të ndajnë Kosovën, edhe ndaj Berishës ka pasur akuza se i ka shitur naftën Millosheviçit. Jemi në një kulturë tipike shqiptare, meqë jemi para zgjedhjeve, ku nuk ka skrupull për akuza të shumëllojshme.


Në këtë moment, duhet të kishte kohezicion kombëtar nga klasa jonë politike. Akuza ndaj Bashës në këtë rast është banale dhe kuptohet shumë lehtë përse bëhet. Për Bashën mund të them se si lider opozite mund ketë shumë probleme, por kur Peza thotë se kaseta i ka shkuar OKB, çfarë ka për të fshehur këtu?”, tha Rakipllari.

Robert Rakipllari theksoi se video e kasetës së Krushës së Madhe nuk është zhdukur dhe se kameramani e ka dërguar kasetën në instancat më të larta institucionale.

“Unë besoj se këta janë akuza politike, për të treguar se kush është më patriot. Këtu mbetet gjithçka e hapur nga logjika e fakteve. Dashamir Peza tha se në pamje dëshmohej një masakër e rëndë dhe se personi që ka filmuar ka rrezikuar jetën.

Nuk kemi kasetë të zhdukur. Personit i është bërë me dije se do i kalohet zyrës së OKB-së. Kameramani ka bërë punën e vet dhe pamjët kanë kaluar në instancat më të larta të kohës”, deklaroi Rakipllari.




Skip to toolbar