Katër mijë kandidatë të frymëzuar nga Lulzim Basha

OPINION


Nga Mero Baze

Katër mijë vetë paskan kërkuar të bëhen deputetë të PD. Marrëzinë njerëzore nuk e ndalon dot, por kur e vlerëson si pozitive, është problem serioz.


Në përpjekje për të restauruar thyerjen e besueshmërisë që ka pasur përzgjedhja e Lulzim Bashës, ky i fundit i ka bërë PD-së një gjë më poshtëruese, se ajo që i bëri më 2017-n.

Për të fshehur faktin që sërisht listën do ta zgjedhë Lulzim Basha, është shpikur një mekanizëm sovjetik i propozimeve nga poshtë dhe miratimeve nga lart, ku gjithë populli kandidon për deputet, pastaj një Komision ja lehtëson punën kryetarit, duke i çuar në “sini” kokat e fundit që duhet të presë ai.

Pikësëpari është poshtëruese të thuash, që një parti ka 4000 kandidatë për deputetë. Por për PD ka një shpjegim.

Kur në Partinë Demokratike, njerëzit kanë parë se kë ka zgjedhur Lulzim Basha deputet, që nga Kujtim Gjuzi, Papa, Maliqi etj, të gjithëve u është dukur vetja më të aftë se ata, dhe kanë vendosur të kandidojnë.

Pra inkurajuesi i katër mijë vetëve për të vënë kandidaturën për deputet, vjen vetëm nga banalizimi ekstrem i këtij posti, nga figurat qesharake që u bënë të famshme në Parlament, si përzgjedhje të Bashës dhe që tani një Komision do t’i seleksionojë, për të shpëtuar Lulzim Bashën nga të frymëzuarit prej tij.

Në fakt askush nuk do të guxonte të vetëkandidonte për deputet, nëse nuk kishte parë listën “Basha”, që sot është në Parlament.

Shembulli i tij ka frymëzuar 4000 vetë të jenë kandidatë, ndërkohë që në zgjedhjet e shkuara mori rreth 400 mijë vota.

Nga ana tjetër, korrigjimi i defektit të Bashës, që ka degraduar përzgjedhjen në PD, nuk mund të bëhet duke ua hequr të drejtën anëtarëve të zgjedhin dhe duke ja kaluar një komisioni të Bashës. Kjo quhet votë e deleguar.

Në zgjedhjet e vitit 1924, Shqipëria ka përdorur votë të deleguar, ku një njeri votonte në emër të 250 qytetarëve, pasi ata konsideroheshin të pazhvilluar për të votuar.

Tani PD ka vendosur që pesë vetë të votojnë ne emër të 400 mijë votuesve, që së paku ka pasur në zgjedhjet e fundit. Pra i bie që PD të delegojë 80 mijë vota tek vota e një anëtari komisioni, duke fyer rëndë anëtarësinë e saj.

Nëse Basha vërtet kërkon një alibi për paaftësinë e tij për të përzgjedhur, le të zhvillojë garë para-eleminatore për kandidatët në PD.

Kështu e kanë në SHBA të dyja partitë e mëdha. Dhe e ka premtuar këtë, pas skandalit të vitit 2017. Në vend të kësaj, ai po aplikon një metodë edhe më fyese se sa përzgjedhja prej tij.

Së paku Basha është i zgjedhur i PD-së dhe ka mandat të vendosë vetë për një listë, por Komisioni i tij është thjesht alibi për paaftësinë e tij.

Vetë Berisha, kur besimi ndaj tij u trondit pas vitit 1997, në zgjedhjet e vitit 2000 aplikoi votimin parlamentar për kandidatët e PD, në zgjedhjet lokale. Natyrisht e ndau shumë PD-në dhe krijoi fraksione, por së paku guxoi ta çonte votën në bazë.

Kurse kjo që po bën Basha, përveçse tregon se çfarë modeli ka frymëzuar brenda PD-së, duke nxjerrë 4000 kandidatë, tregon dhe me çfarë perversiteti kërkon ta ruajë sërish kontrollin mbi kandidaturat, duke i përzjerë ata me 4 mijë vetë të tjerë, që gjithnjë të jenë relative ankesat e tyre.

E mira e vetme e kësaj pune, është se 3950 prej tyre i ke armiq me Lulzim Bashën në qershor, kur të shpallë listen, dhe kontigjente sulmi ndaj tij, si ushqim për partitë e tjera afër PD.

Për këtë, ato duhet t’i jenë mirënjohëse Bashës, por jo PD-së.




Skip to toolbar