Kina dhe SHBA kërkojnë stabilizimin e raporteve

BOTA


Ministri i Jashtëm i Kinës, Qin Gang, tha më 8 maj se është e domosdoshme të stabilizohen mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara pasi një seri “fjalësh të ashpra dhe veprash” kthyen raportet në gjendje të ngrirë.

Qin, gjatë një takimi në Pekin me ambasadorin amerikan Nicholas Burns, tha se SHBA-ja veçmas duhet të përmirësojë trajtimin që i bën çështjes së Tajvanit dhe duhet të ndalojë së mosrespektuari principin “e një Kine”.

Raportet midis dy ekonomive më të mëdha në botë u përkeqësuan vitin e kaluar, kur kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, vizitoi ishullin vetëqeverisës të Tajvanit, duke zemëruar Kinën që pretendon se ky ishull është pjesë e territorit të saj.

Në përgjigje, Kina ndaloi disa kanale që përdoren për komunikime zyrtare me SHBA-në, veçmas ato mes dy ushtrive.

“Prioriteti kryesor është stabilizimi i raporteve Kinë-SHBA, të shmanget përkeqësimi i raporteve dhe të parandalohet çdo aksident midis Kinës dhe SHBA-së”, tha Qin gjatë takimit me Burns, njoftoi Ministria e Jashtme kineze.

Tensionet midis dy superfuqive u ulën nëntorin e kaluar, kur presidenti amerikan, Joe Biden, u takua me liderin kinez, Xi Jinping, gjatë samitit të G20-s në Indonezi dhe udhëheqësit u zotuan për dialog më të shpeshtë.

Por, tensionet u rritën sërish në shkurt kur një balonë kineze u shfaq në hapësirën ajrore amerikane, duke detyruar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që të anulonte vizitën e tij në Pekin.

“Që atëherë, një seri fjalësh të ashpra dhe veprash nga SHBA-ja kanë minuar momentumin pozitiv, të fituar me mund, në raportet Kinë-SHBA”, tha Qin.

Ambasadori Burns përmes një postimi në Twitter tha se gjatë takimit me Qin ka folur edhe për nevojën që të ketë stabilitet në raportet mes dy shteteve.

“Ne diskutuam sfidat në raportet SHBA-Kinë dhe nevojën e stabilizimit të marrëdhënieve dhe zgjerimit të komunikimit në nivel të lartë”, tha Burns.

Tajvani mbetet çështja kyçe në raportet midis Kinës dhe SHBA-së.

Muajin e kaluar, Kina mbajti stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, pasi presidentja tajvaneze, Tsai Ing-wen u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, në SHBA.

Që nga viti 1979, raportet SHBA-Tajvan janë vendosur në bazë të Aktit të Raporteve me Tajvanin, që ofron bazë ligjore për t’i dhënë Tajvanit mjetet e nevojshme për të mbrojtur veten, por nuk thotë se SHBA-ja do t’i ndihmojë Tajvanit në rast të ndonjë sulmi.

Në buxhetin për vitin 2023, Kongresi amerikan ka autorizuar ndihmë ushtarake për Tajvanin në vlerë prej 1 miliard dollarësh./REL



Skip to toolbar