Kina rrethon Tajvanin! SHBA: Tentativë pushtimi

BOTA


Kina ka rrethuar ishullin e Tajvanit, në një nga stërvitjet më të mëdha dhe më kërcënuese në dekadën e fundit. Stërvitja ‘ndëshkuese’ ushtarake e Kinës ndaj Tajvanit, vjen disa ditë pas inaugurimit të presidentit të ri të Tajvanit dhe fjalimit të tij kritik ndaj Kinës komuniste. Komanda e Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze në stërvitje ka përfshirë ushtrinë, marinën, forcat ajrore dhe forcat raketore, në zonat përreth Tajvanit.

Komanda e lartë amerikane i dëno manovrat kineze. Në një deklaratë për mediat, gjenerali amerikan Stephen Sklenka e quajti stërvitjen e ushtrisë kineze një tentativë të vërtetë pushtimi.


“Ushtria Çlirimtare Popullore vazhdon të ushtrojë elementë kritikë të një pushtimi të mundshëm ushtarak të Tajvanit. Unë nuk mund të theksoj për nevojën e një konflikti në rajonin Indo-Paqësor dhe një ndryshim të rendit ndërkombëtar. Ruajtja e rendit ndërkombëtar që ka ofruar paqe dhe stabilitet relativ gjatë 80 viteve të fundit është mjaft i rëndësishëm”, tha Gjeneral-Lejtenant Stephen Sklenka.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit dënoi stërvitjet, duke thënë se kishte dërguar forca në zonat përreth ishullit. Në deklaratë thuhej se mbrojtja ajrore dhe raketore tajvaneze ishte në gatishmëri të lartë.

Nga ana e saj, Kina, e sheh Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si territorin e saj. Nën udhëheqjen e Shi Xhinping, Kina është bërë më e sigurt dhe ka rritur presionin diplomatik, ekonomik dhe ushtarak mbi Tajvanin, ndërsa demokracia ishullore forcon lidhjet me Shtetet e Bashkuara.




Skip to toolbar